Transmetuar më 24-01-2017, 21:30

Fytyra e një njeriu, ndoshta në moshë të pjekur, shfaqet krejt papritur në malin pranë Burrelit, duke shokuar ata që kaluan sot në rrugën nacionale përbri tij.

Pamja që shfaqet është fantastike. A thua se është bërë një pikturë gjigante në majë të malit. Duken qartësisht fytyra e një burri ose gruaje në moshë, me të gjitha pjesët e saj, sytë, hundën, gojën, flokë disi të thinjur, të gjatë e të drejtë, e deri dhe vetullat e balli, spikatin në atë që dallohet te mali i Burrelit sot, nga këto foto autentike.

Pamjet janë shkrepur nga mali i fshatit Baz të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Matit, pranë qytetit të Burrelit.

Bashkëpunëtori i NOA.al që sjell ekskluzivisht fotot e shkrepura, tregon se në orën 15.00 të pasdrekes së të martës 24 janar 2017, ishte duke kaluar në aksin kombëtar rrugor pranë Burrelit, kur u befasua nga pamja që pa.

“Unë isha duke ecur me makinë në rrugën pranë fshatit Baz, kur më bëri shumë përshtypje ajo që pashë. Për vetë faktin se rruga është e keqe isha duke ecur goxha ngadalë dhe kur pashë atë që dukej kaq shumë si fytyra e një njeriu, ndala makinën, dola prej saj dhe nxora celularin për të bërë këto foto që ju dërgova juve të redaksisë së NOA”, – tregon Donaldo, bashkëpunëtori i NOA.al.

“Unë kaloj shpesh nga këto anë, por asnjëherë më parë nuk shfaqej një pamje e tillë. Kjo më rastisi vetëm sot dhe u befasova shumë, por njëkohësisht nuk di të shpjegoj se çfarë ishte kjo”, – shton Donaldo.

Sikurse shikoni në galeri, janë shkrepur disa foto që e tregojnë pamjen e rrallë dhe misterioze nga përballë.

Fotot janë autentike dhe nuk ka asnjë montazh, pohon NOA.al pasi ia dërgoi pamjet një eksperti fotografish i cili tha se ato janë shkrepje të mirëfillta nga celulari, pa asnjë shtesë apo ndërhyrje. /a.b/noa.al/