Transmetuar më 24-01-2017, 17:17

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi publikisht se ditën premte në datën 27 janar në ambientet e Kuvendit do të organizohet hedhja e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Meta ndër të tjera ka miratuar rregullat dhe procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED.

Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të: përfaqësuesve të dërguar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; Avokatit të Popullit; Përfaqësuesve të grupeve parlamentare; Përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe të organizatave partnere ndërkombëtare dhe medias.

Në datën dhe orën e caktuar për organizimin e shortit mund të marrin pjesë edhe kandidatët e propozuar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”./b.l/noa.al/