Transmetuar më 24-01-2017, 15:56

Pas pesë muajve në dispozicion të drejtësisë, Guido Guidi piloti italian i cili u rrëzua në Ishëm mund të largohet nga Shqipëria. 69-vjeçarit me vendim të gjykatës i është kthyer pasaporta e cila i ishte sekuestruar që nga muaji shtator i vitit të kaluar në kohën kur u rrëzua avioni. Këtë të martë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pilotit i është kthyer pasaporta dhe do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjithashtu prokuroria ka kërkuar lënien si garanci shumë prej 10 mijë eurosh. Në vendimin e gjykatës thuhet se piloti do të jetë në dispozicion të prokurorisë dhe do të paraqitet për tu pyetur sa herë që ti kërkohet.

Duke qenë se veprimet hetimore po zgjasin, Krimet e Rënda ju drejtuan gjykatës për caktimin e një mase ndaluese ndaj të dyshuarit për sa kohë statusi i tij nuk është qartësuar ende.

Gjatë kësaj kohe, Guidi ka dhënë dëshmi kontradiktore. Fillimisht piloti u shpr4eh se kishte ndërmarrë fluturimin për shkak ë kohës së bukur. Por më pas, tregoi se ishte kontaktuar nga disa shqiptarë për të këqyrur terrenin në Ishëm e për të vendosur nëse vendi ishte i duhur prej nga ku do të trafikohej drogë.

Rrëfimi i tij i fundit i përjashton çdo të dyshuar për shkak se Guidi ka treguar se kishte ardhur në Shqipëri me vullnetin e tij për të parë nëse mund të gjente mundësi për të transportuar drogë.

Sqarohet se Prokuroria për Krimet e Rënda do t’i vazhdojë hetimet dhe në rast se do të ketë të dhëna që implikojnë pilotin italian ai të vijë serish në vendin tonë për të dhënë sqarime./b.l/noa.al/