Transmetuar më 24-01-2017, 14:00

Tiranë, 24 janar 2017, NOA.al- Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane PPE, e cila ka shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, diskutoi ndër të tjera zhvillimet e pritshme politike që lidhen me anëtarët e saj.

Ai informon se Asambleja miratoi me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë e cila bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe dënon shitblerjen e votës.

“Rezoluta bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore si dhe për zbatimin e ligjit për dekriminalizmin e politikës dhe kërkon masa urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës”, shkruan Basha në Facebook.

Më tej ai shpreh mirënjohjen për mbështetjen e PPE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftën kundër krimit dhe të ardhmen europiane, si dhe angazhimin e tij për përmbushjen e këtyre qëllimeve.​​/a.y/noa.al