Transmetuar më 24-01-2017, 13:01

Tiranë, 24 janar 2017, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kinemasë në Laprakë.

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ka nisur rikonstruksionin e plotë të godinës së vjetër të kinemasë në njësinë 11, e cila prej vitesh ishte jo funksionale. 

“Kinemaja e Laprakës, njihet edhe si kinemaja e Maks Velos, që arkitekti ynë i famshëm e ka projektuar disa dekada më parë, por që më pas është rrënuar. Sot kjo kinema po merr një pamje të re. Jemi pak muaj përpara se ky projekt të përfundojë dhe besoj se në verë, do të kemi një kinema publike, jo private, për funksione publike të komunitetit, jo vetëm për shfaqjen e filmave, por për të promovuar të rinj të talentuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike.

“Këtu ka një spital publik, një spital privat, ka shkolla, gjimnaze, 9-vjeçare, kopshte e çerdhe, dhe me kinemanë e re Lapraka merr profilin se çfarë duhet të ketë një qendër e Tiranës policentrike”, tha Veliaj.

Ai shtoi se nuk mjafton vetëm të thuash që një zonë e Tiranës do të jetë një qendër e re, nëse nuk ka infrastrukturën sociale, me shkolla, kopshte e çerdhe, por edhe infrastrukturë kulturore e artistike, siç mund të jetë kinemaja, e cila do të shërbejë si një vend ku mund të ketë shfaqje, filma, ku mund të promovohen libra e ekspozita.

“Më vjen mirë që familjet e Laprakës kanë gjetur te Bashkia e Tiranës një aleat për fëmijët e tyre sepse po rregullojmë çerdhe e kopshte, kurse këtë vit prioriteti ynë janë shkollat, pa harruar infrastrukturën kulturore”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai bëri të ditur se rikonstruksioni i plotë i kinemasë është një prej shumë projekteve që bashkia ka nisur dhe do të zbatojë në Laprakë, për t’i dhënë asaj rëndësinë e duhur të një qendre të vërtetë dhe të rëndësishme urbane.

Ky investim parashikon rikonstruksionin e plotë të kinemasë së Laprakës. Projekti parashikon ndërtimin e një salle multifunksionale, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme si kinema, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër.

Mjediset e reja do t’i vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë e harruar duke mos njohur investime nga ana e shtetit.