Transmetuar më 24-01-2017, 12:05

Mat, 24 janar 2017, NOA.al- Qëllohet me automatik drejt shtëpisë së kryeplakut të fshatit Komsi në Mat.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:15 në fshatin Komsi, ka patur të shtëna me armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e policisë të cilët kanë konstatuar se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së 64- vjeçarit A.B., me detyrë kryeplak i fshatit Komsi, dhe punëtor pranë fabrikës së ferrokromit Burrel.

Në drejtim të banesës së është qëlluar me armë zjarri automatik nga një distancë rreth 50 metra, ku në njërën nga dhomat e banesës është thyer xhami i jashtëm i dritares, dhe në pjesën e jashtme të banesës ka disa vrima të shkaktuara nga predhat e qitura.

Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa efektivët e policisë në vendin e ngjarjes kanë gjetur 15 gëzhoja.

Nga hetimet e policisë është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar si A.GJ, 26 vjeç me precedent të mëparshëm kriminal.

I riu është shpallur në kërkim, ndërsa për arsye hetimi nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.

Paraprakisht dyshohet se shkaku është për motive të dobëta, ndërkohë që janë ngritur pika kontrolli si dhe po vijon puna për kapjen e autorit./a.y/noa.al