Transmetuar më 24-01-2017, 11:52

Burrel, 24 janar 2017, NOA.al- Një sasi eksplozivi është vendosur në katin e pestë të një pallati, pranë hyrjes së një apartamenti në Burrel.

Rreth orës 09:00 të paradites së sotme në lagjen “Partizani”, në Burrel në katin e pestë të një pallati, tek zgara prej hekuri që ndan shkallën është gjetur një pako e dyshuar me lëndë plasëse.

Efektivët e policisë të mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar një pako të dyshuar më lëndë plasëse të vendosur në zgarën e hekurt që ndan shkallën në afërsi të derës së banesës së shtetasit Avni Canameti, 56 vjeç, banues në Burrel.

Canameti është mësues në një shkollë 9- vjeçare në Burrel, ndërsa nuk dihet motivi i vendosjes së tritolit, i cili është gjetur nga familjarët e tij.

Mësohet se lënda plasëse nuk ka shpërthyer dhe se grupi hetimor ka bërë menjëherë çaktivizimin e pakos me tritol me peshë 200 gramë.

Nuk dihen ende detajet e kësaj ngjarje, ndërkohë që policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit që ka vendosur lëndën plasëse./a.y/noa.al