Transmetuar më 24-01-2017, 11:43

Tiranë, 24 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama e cilëson domosdoshmëri bashkëpunimin Qeveri- bashki dhe rijetëzimin e rrjetit të ujitjes dhe kullimit si dhe rrugët rurale.

Në një takim të zhvilluar ditën e sotme në Kryeministri me të gjithë kryetarët e bashkive, Rama tha se janë mbështetur 136 projekte të bashkive për financimin e ujit dhe rrugëve dhe se rrjeti i rrugëve rurale është i lidhur me prodhimin dhe nxitjen, për fuqizimin e tregjeve bujqësore.

Ai nënvizoi si të rëndësishëm që cikli i projekteve të mbyllen brenda një viti buxhetor, duke u ndalur në rëndësinë e rritjes së shpejtësisë së proceseve.

Kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera se rilindja urbane ka financuar 540 projekte në të gjithë Shqipërinë.

Sipas tij fondi i vënë në dispozicion duhet të bëhet efektiv sa më parë dhe se në muajin maj hyhet në fazën e tezaurimit të fondit të ri për ujitje dhe kullim.

“Programin e ri të rindërtimit që ne do të lançojmë shumë shpejt me tre shtylla, infrastrukturë rrugore, në këtë rast nacionale, por që do i shërbejë shumë bashkive, infrastrukturë rurale dhe turistike, dhe këtu bashkëpunimi do të jetë i drejtpërdrejtë me bashkitë. Infrastrukturë arsimore për rindërtimin e mbi 10 shkollave që janë në gjendje jo të mirë në territorin e Shqipërisë. Dhe këtu bashkëpunimi me ju është kyç dhe infrastrukturë shëndetësore për ngritjen e 10 poliklinikave moderne në vend dhe një spitali rajonal në Fier”, tha Rama.

Në këtë drejtim shtoi se një paketë e re me 30 projekte nga 30 bashki, përfshin infrastrukturën në akse nevralgjike të zhvillimit të këtyre bashkive.

Sa i takon infrastrukturës rurale, Rama shtroi se në këtë mënyrë nxitet ekonomia rurale dhe tregjet.

“Një oportunitet i ri që duhet të jetë prezent në punën e përditshme për rijetësimin e strukturave të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore. Kjo pasi ka kërkesa të vazhdueshme nga fermerët për pika grumbullimi. Bashkitë duhet të kenë rol koordinator, nxitës por edhe bashkëpronar të këtyre pikave të grumbullimit. Bashkitë duhet të mundësojnë pika grumbullimi të financuara nga vetë ato dhe fermerët”, u shpreh Rama./a.y/noa.al