Transmetuar më 24-01-2017, 10:25

Tiranë, 24 janar 2017, NOA.al- Një i ri i dyshuar si pjesë e grupit prej tre personash, të cilët kryenin grabitje me armë e maska në karburante, është vënë në pranga.

I shpalluri në kërkim Bajram Kallmacaku, 20 vjeç, banues në Durrës, u arrestua ditën e djeshme nga policia e kryeqytetit.

Ai akuzohet se më 9 janar, rreth orës 01:30, në rrugën nacionale Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të “Fllakës” dyshohet se në bashkëpunim me Florian Thanën dhe Klajdi Pupën, me anë të dhunës kanë vjedhur 65 mijë lekë të reja në një pikë shitje karburanti.

Klajdi Pupa 20 vjeç dhe shoku i tij Florian Thana 19 vjeç, u arrestuan më herët, më 9 janar.

Më konkretisht nga hetimet e kryera, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në periudha të ndryshme kohore kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, tek “Mbikalimi i Fllakës”, duke marrë shuma të ndryshme parash.

Ata akuzohen se më 12 dhjetor rreth orës 02:50, nën kërcënimin e armës i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, rreth 150- 200 mijë lekë të reja.

Ndërkohë më 9 janar, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me një mjet tip "Golf".

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet tip "Volswagen Golf 5", me të cilën autorët kryenin vjedhjet; një çantë krahu, në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë./a.y/noa.al

Grabitje me armë e maska në karburante, dëshmia e të dyshuarve në polici

Grabitja e karburanteve, këta janë të rinjtë që bënin “gjëmën” me armë e maska