Transmetuar më 23-01-2017, 15:45

Është vënë në pranga edhe autori i tretë i dyshuar i grabitjeve të karburanteve në autostradën Tiranë-Durrës.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, oficerët e Komisariatit të Policisë numër 4, kanë kapur 20-vjeçarin të shpallur në kërkim Bajram Kallmacaku, banues në Durrës.

Ky person është shpallur në kërkim, pasi më datë 9 janar 2017, rreth orës 01:30 në rrugën nacionale Tiranë – Durrës në afërsi të mbikalimit të "Fllakës", dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka kryer grabitjen me dhunë të një pike karburanti ku kanë marrë shumën monetare prej 65.000 lekë.

Më konkretisht nga hetimet e kryera, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në periudha të ndryshme kohore kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, tek “Mbikalimi i Fllakës”, duke marrë shuma të ndryshme parash.

Ata akuzohen se më 12 dhjetor rreth orës 02:50, nën kërcënimin e armës i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, rreth 150- 200 mijë lekë të reja.

Ndërkohë më 9 janar, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me një mjet tip "Golf".

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet tip "Volswagen Golf 5", me të cilën autorët kryenin vjedhjet; një çantë krahu, në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë.

Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, të dyshuarit kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve./b.l/noa.al/