Transmetuar më 23-01-2017, 14:20

“Ne ia kemi thënë këtë Erdoganit edhe para se të ndodhte kjo. Ai bashkoi opozitën duke e nxitur atë kundër Assadit. Tani ai po paraqet opozitën siriane si viktimë të forcave qeverisëse të regjimit.  Erdogani iu bashkua shkatërrimit të Sirisë”.

Shefi i policisë së Dubait, Dahi Khalfan ka shënjestruar Presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan për politikat e ndjekura ndaj Sirisë.

“Erdogani u bë pjesë në shkatërrimin e Sirisë”, thotë ai.

Sipas lajmit të publikuar nga “CNN Arabic”, shefi i policisë së Dubait, Dahi Khalfan i cili njëkohësisht është edhe një burokrat shumë i rëndësishëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, në llogarinë e tij në Twitter ka reaguar ashpër ndaj Presidentit të Turqisë.

Dahi Khalfan, i njohur edhe më herët për qëndrimet e ashpra ndaj Erdoganit dhe Vëllazërisë Myslimane, në llogarinë e tij në Twitter shkruan: “Erdogani bashkoi opozitën duke e nxitur atë kundër Assadit. Tani që shpresat janë zbehur po përpiqet të shpëtojë nga opozitarët, duke e paraqitur opozitën siriane si viktimë të forcave qeverisëse të regjimit… Ne ia kemi thënë këtë, para se ai ta bënte këtë gabim”.

Duke e cilësuar Erdoganin si një nga shkaktarët e tragjedisë njerëzore të përjetuar në Siri, shefi i policisë shkruan, “Erdogani e drejtoi opozitën siriane drejt masakrës, u bë pjesë e shkatërrimit të Sirisë dhe emigrimit të popullsisë…. Kjo është e vërteta e hidhur… Erdogani është viktimë e iluzionit të Vëllazërisë”.