Transmetuar më 23-01-2017, 12:58

Tiranë, 23 janar 2017, NOA.al- Ish- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht ndodhet në Francë, thotë se roli i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, është si i kukullave

Në një postim të tij në Facebook, ai deklaron se pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, prej Thaçit dhe Mustafës, është si pozicion i kukullave.

“Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletëarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd. Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin”, shprehet Haradinaj.

Ai thotë se sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin e tij, i porosit të gjithë se kryeqyteti i tij, nuk është Beogradi.

Ramush Haradinaj ndodhet në Francë me liri me kusht, pasi u arrestua më 4 janar në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia të vitit 2004, i dyshuar për krime lufte. Gjykata e la të lirë Haradinaj në vijim të hetimeve, me kusht që të mos largohet nga Franca./a.y/noa.al