Transmetuar më 23-01-2017, 11:56

Me rritjen e pritshme me rreth 100-120 euro për metër katror, çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit shqiptar pritet të bëhen ndër më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Beogradin dhe Podgoricën.

Aktualisht çmimet e apartamenteve brenda unazës në Tiranë variojnë nga 1200-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona që janë shtrenjtuar ndjeshëm. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve thotë se edhe aktualisht në zonën e televizionit shqiptar, çmimi i apartamenteve ka arritur në 3000 euro për metër katror. Kjo pjesë e Tiranës është e preferuar, pasi është në qendër dhe nuk është e mbipopulluar nga ndërtimet, duke u bërë një zonë më elitare.

Kërkesa për shtëpi në qendër sipas tij është gjithnjë e lartë, ndaj qendrës nuk pritet t’i bjerë ndonjëherë vlera dhe me shtimin e pritshëm të ndërtesave të larta me planin e ri rregullues.

Ndërtuesit kanë paralajmëruar një rritje të çmimeve me 50-120 euro për metër katror si rrjedhojë e dyfishimit të taksës së ndërtimit në infrastrukturë (nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes).

Aktualisht nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katror, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services. Çmime mes 1500-2000 euro/m2 ka dhe Pogdorica.

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po bëhen të krahasueshme me atë të Athinës, kryeqytetit grek, që si rrjedhojë e krizës në shtetin Helen ka parë rënie të vazhdueshme të vlerës së apartamenteve.

Sipas Eurobank Property Services, në Greqi, në vitin 2015 çmimet e banesave rezidenciale (duke iu referuar kryesisht apartamenteve) në nivel kombëtar kanë pësuar një rënie kumulative prej 38,2%, duke filluar nga viti 2008. Çmimi mesatar i një shtëpie në Atthinë ka zbritur nga rreth 170 mijë euro në 2007-n, në më pak se 100 mijë euro në 2015-n. Sipas ‘Numbeo’, një apartament në qendër të Athinës e gjen edhe me 1500 euro për metër katror.

Në rajon, më i lirë mbetet kryeqyteti i Maqedonisë, ku çmimet po bien që prej vitit 2011, pas një rimëkëmbjeje të shkurtër në 2010-n. Në Shkup, çmimi mesatar i banesave ra me 1.8% në 2015-n në MKD 52,916 (USD 963) për metër katror, në raport me vitin e mëparshëm, sipas institutit maqedonas të statistikave. Në Sarajevë, çmimet mesatare të apartamenteve në qendër janë rreth 1400 euro/m2.

Periferia, më e lira në rajon

Ndryshe nga qendra, zonat në periferi të kryeqytetit shqiptar janë dukshëm më të lira se periferia e rajonit, ku një apartament kudo në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, nuk e gjen më pak se 650-800 euro për metër katror, ndërsa në rrethinat e Tiranës ka dhe apartamente me 400-450 euro për metër katror. Ndërtuesit pohojnë se shkak për këtë është infrastuktura e keqe, teksa pallatet janë ndërtuar pa plan, nuk ka hapësira (lulishte apo ambiente të përbashkëta), rrugët janë të ngushta dhe madje në disa zona ato furnizohen me ujë pusi.

Në perferinë e kryeqytetit serb, në Beogradin e ri, p.sh., çmimet luhaten në 1200-1700 euro për metër katror, por kjo zonë ka apartamente cilësore, rrugë të gjera dhe infrastrukturë funksionale e hapësira për banorët.

Taksat që po shtrenjtojnë apartamentet në kryeqytetin shqiptar

Objektet e reja që do të ndërtohen këtë vit do të paguajnë 8% të çmimit të shitjes së objektit. Kjo taksë deri në fund të vitit 2015 ishte 4% mbi koston e ndërtimit.

Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale. P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.

Për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit në 2016-n, kjo taksë pritet të japë efektin në 2017-n. Ndonëse kjo duhet të ketë efekt vetëm tek ndërtimet e reja, ndërtuesit paralajmërojnë se do reflektohet në gjithë tregun, ndonëse jo me të njëjtat ritme.

Ndërkohë, në 2016 u shënua një shtrenjtim i apartamenteve në 6 mujorin e parë (1% në tremujorin e parë dhe 5% në të dytin sipas indeksit të Çmimeve të Banesave të Bankës së Shqipërisë), si reflektim i barrës së shtuar fiskale, si dyfishimi i tarifës së pastrimit apo dhe aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave.

Një tjetër ndryshim fiskal ka ndikuar në rritjen e kostos së ndërtuesve vitet e fundit. Kompanitë tregojnë se ligji nr. 1129, datë 5.8.2008 “Për mënyrën e përcaktimit të vlerës së truallit, të vënë nga pronarët e tij, në dispozicion të investitorëve të ndërtimit”, nuk njeh më pjesën e kontratës së shkëmbimit me pronarin e truallit. Firmat e ndërtimit duhet që truallin ta fusin si shpenzim, ndërkohë që pjesën e shkëmbimit që i japin apartamente pronarit, duhet ta kalojnë me çmimin e shitjes, në bazë të tabelës me referencat e tregut. Kjo kalon automatikisht në të ardhur. Marzhi mes çmimit të referencës së truallit me çmimin e shitjeve të zonave është diferencë e madhe, pohojnë ata, ndaj dhe konsiderohet një nga arsyet që do të rritet çmimi për blerësin fundor./Monitor