Transmetuar më 23-01-2017, 11:41

Fier, 23 janar 2017, NOA.al- Për tre orë qëndroi majë oxhaku të kompanisë së naftës në Fier dhe kërcënoi se do hidhej, për shkak se nuk kishte marrë rrogën prej katër muajsh, por fatmirësisht gjithçka u mbyll pa pasoja.

Naftëtari Agim Myrdini zbriti nga oxhaku rreth 40 metër i lartë pas negociatave me përfaqësuesin e kompanisë, pak para mesditës së sotme.

Ai u prit me duartrokitje nga kolegët të cilët thërrisnin "Duam paret tona, duam paret tona".

Myrdini pretendon se ka katër muaj pa u paguar dhe afro dy vjet pa ju paguar sigurimet shëndetësore.

Ndërkohë para këtij veprimi të tij, ishin me dhjetëra punëtorë të uzinës që protestuan duke kërkuar pagat.

Në vendin e ngjarjes mbërritën efektivët e policisë, të cilët negociuan për ta bindur Myrdinin për të zbritur, po pa rezultat.

Fatmirësisht punonjësi i rafinerisë së naftës, zbriti pa pësuar dëmtime, pasi i’u dha siguria se do merrte të gjithë pagesat. Ndërkohë edhe punonjësve të tjerë i’u premtua se do u jepej pagesa brenda dhjetë ditëve./a.y/noa.al