Transmetuar më 22-01-2017, 23:42

Kjo është Aneta Plaku, nënë e tre fëmijëve, e cila përveç humbjes së bashkëshortit sot duhet të vuajë dhe mjerimin që i ka rënë mbi supe.

Ajo jeton në një banesë gati të rrënuar së bashku me vajzat e mitura 7, 5 dhe 3 vjeçe dhe duhet të përballojë dimrin e ftohtë dhe ngricat që kanë pushtuar fshatin Sllatinë, 36 km larg qytetit të Peshkopisë.

“Dua ndihmë, të më bëjnë dy dhoma. Nuk kam shtëpi, nuk rrihet këtu. Nuk kemi as dru, asgjë. Kush më sjell ndonjë gjë”, – pohon Aneta duke folur me Ora News.

Të afërmit e Anetës e kanë të pamundur ta ndihmojnë për strehim ndaj u bëjnë thirrje autoriteteve ti sigurojnë një banesë për të kaluar dimrin.

I afërmi i saj pohon: “Ka 7-8 vjet që jetojnë në këtë gjendje, shtëpi nuk kanë, dru nuk kanë, me ndihmën tonë. Kush të ketë mundësi të na ndihmojë”.

I afërmi pranon se e ka shumë të vështirë, “nuk ke si e ndihmon me një asistencë”.

Pa shtëpi dhe vetëm me 5 mijë lekë të ardhura në muaj, Aneta shtyn ditët në varfëri ekstreme.

E vetmja ndihmë që i ka ardhur në këto ditë të ftohta janë disa veshje për fëmijët e saj të mitur ndërsa çdo ditë rron me shpresën se autoritetet shtetërore do t’i përgjigjen thirrjes së saj.