Transmetuar më 22-01-2017, 18:47

Vendimin ekstrem për t’u vetëdjegur, 57-vjeçari Marko Sillo e ka marrë pasi nuk mund të duronte dot faktin se vajza e tij Armela rezulton ende e zhdukur, pasi sipas tij është rrëmbyer nga tre persona.

Sillo, tentoi t’i japë fund jetës para tre ditësh duke u vetëdjegur me benzinë në ambientet e Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Policinë e Fierit tregon shkaqet e këtij akti ekstrem. Nga shtrati i spitalit në QSUT, ai tregoi për “News 24” se, vajza e tij është zhdukur prej tre vitesh dhe për këtë, ai ka denoncuar 3 persona, pasi dyshon që mund ta kenë trafikuar si prostitutë dhe akuzon shtetin se nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar.

Sillo tha se, njëri nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli dhe ai e ka denoncuar në polici për rrëmbimin e vajzës, por policia nuk e ka arrestuar.

“Akti im për t’u vetëdjegur në Komisariatin e Policisë së Fierit ishte protestë për indiferencën e shtetit. Unë shkova në polici për vajzën time të zhdukur Armela, ata u treguan indiferentë. Kam denoncuar 3 persona që më morën vajzën. Një nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli. Vajza para një viti kërkoi të tërhiqnim denoncimin, por besoj se vajza ime është nën presionin e rrëmbyesve”, thotë ai. Silo shprehet se ka frikë për jetën e familjarëve, ndaj kërkon mbrojtje nga shteti.

Të enjten rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet e Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi Marko Silo dhe i ka vënë zjarrin vetes me benzinë. Trupi i tij ka marrë flakë, ndërsa punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për të shuar flakët.

Policia e Fierit bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, M.S, 57 vjeç, banues në Levan, Fier, dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë. “Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHÇBA, dhe personelit të Zyrës së Shërbimit të Qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve, duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartpërmendur, më datën 20.09.2016 ka kallëzuar pranë Policisë Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit”, thuhej në njoftimin e Policisë së Fierit.

Policia nuk thotë asnjë fjalë se pse nuk është hetuar për tre personat që janë denoncuar nga shtetasi Marko Silo për rrëmbimin e vajzës së tij që para tre vjetëve.

Babai i vajzës shprehet se njëri nga tre trafikantët e rrëmbimit të vajzës së tij është i shpallur në kërkim nga Interpoli, por policia sipas tij, nuk ka vepruar për arrestimin e tij.

***

Nëse dini diçka për fatin e Armelës së zhdukur, ndihmojeni familjen e saj duke komentuar në mënyrë anonime më poshtë te KOMENTO