Transmetuar më 22-01-2017, 18:03

Një leksion i qartë që është marrë vitet e fundit nga vendet e eksportit të naftës, veçanërisht gjatë vitit 2016, është se duhet të rregullojnë politikat e tyre publike për të promovuar inovacionin dhe për të diversifikuar ekonomitë e tyre. Marrëveshja e tyre në fund të nëntorit për të reduktuar sasinë e naftës të nxjerrë në treg – vendimi i parë i tillë i marrë nga OPEC në tetë vite – nuk e ndryshoi situatën, pavarësisht rritjes afatshkurtër të çmimit të naftës. Është e qartë se të ardhurat e naftës i kanë nxitur GDP-të e vendeve të eksportit gjatë çerek shekullit të fundit, veçanërisht në zonën e Gjirit. Qytetet vibruese dhe kozmopolite – të mbushura me gradaçela shkëlqyese, infrastrukturë të teknologjisë së fundit dhe standard të jashtëzakonshëm jetese – kanë shpërthyer si me magji në këto vende. Por bota në vitin 2017 dhe më tej do të jetë ndryshe. Presioni i madh në të cilin ndodhen çmimet e naftës reflekton jo vetëm kërkesë më të ulët botërore, për shkak të rritjes së ulët ekonomike, por shfaq gjithashtu një nevojë imediate për ndryshim teknologjik në prodhimin e hidrokarbureve, tregon ngritjen e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe angazhimet botërore për të luftuar ndryshimin e klimës, jo vetëm përmes Marrëveshjes së Parisit në dhjetor 2015. Rezultati është që motori i vetëm i rritjes ekonomike për vendet e eksportimit të naftës – të ardhurat nga hidrokarburet – është duke u ngadalësuar dhe mund të vazhdojë të ngadalësohet për një kohë të gjatë, për të mos thënë përgjithmonë. Megjithatë, edhe pse kanë rënë dakord të reduktojnë sasinë e naftës në treg, duket qartë se ekonomitë e eksportit të naftës janë tërësisht të varura prej saj. Kur çmimet e naftës qëndronin në nivel të ulët gjatë viteve 1980 dhe 1990, standardi i jetesës në vendet e eksportit të naftës dhe norma e punësimit u reduktua në mënyrë drastike, ndërsa borxhi publik u rrit tejmase. E njëjta gjë ndodhi në vitin 2014 kur këto vende filluan të thanin rezervat e tyre financiare dhe u detyruan të ulnin shpezimet qeveritare. Megjithatë, vazhdojnë të jenë të mbytur në mallkimin e naftës. Një libër i kohëve të fundit i publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i titulluar “Prishja e magjisë së naftës: Rruga e fajkojve të Gjirit drejt diversifikimit”, hedh dritë mbi mënyrën se si qeveritë mund të riorientojnë ekonomitë e vendeve të tyre. Libri shpjegon situatën aktuale të vendeve si Brazili, Korea e Jugut, Malajzia e Singapori ku diversifikimi i ekonomisë ka rezultuar i suksesshëm. Këto vende nuk janë eksportues madhorë të naftës, por ofrojnë përsëri leksione të fuqishme për vendet e tjera. Në secilin vend, përpjekjet e diversifikimit të ekonomisë u fokusuan në industritë me vlerë të shtuar që konkurrojnë mirë në tregjet ndërkombëtare. Këto industri gjenerojnë të ardhurave produktive, duke i përhapur efektet e tyre pozitive në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë. Për shembull, në Malajzi, eksporti i të mirave primare, si pjesë e eksporteve totale të vendit, ra nga 80 për qind në viteve 1980 dhe 2012, ndërkohë që eksportet e produkteve elektronike u rritën nga 10 në 30 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Sipas librit të FMN-së, qeveritë që i kanë diversifikuar ekonomitë e tyre e kanë bërë këtë përmes politikave për të përmirësuar “aksesin në financë dhe shërbimet e mbështetjes së biznesit përmes fondeve kapitale, zhvillimit bankar, agjencive të promovimit të eksportit dhe krijimit të zonave speciale ekonomike, qendrave të zhvillimit dhe kërkimit dhe start-up”. Për shembull, Singapori vendosi që industritë e prodhimit, shkencës dhe teknologjisë së lartë do të ishin ato që promovohen dhe zhvillohen. Brazili ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit brazilian, në ndërtimin e industrive farmaceutike, të kallamit të sheqerit dhe programeve kompjuterike. Malajzia nga ana e saj ka mbështetur industritë që mbledhin, përpunojnë dhe eksportojnë burimet natyrore, ndërkohë që përpiqet të hyjë edhe në tregun ndërkombëtar të elektronikës. Në të gjithë këto vende që kanë diversifikuar me sukses ekonomitë e tyre, shteti ka luajtur rolin kryesor, duke promovuar inovacionin dhe duke integruar sektorët publikë dhe privatë për të mbështetur firmat e eksportit dhe ato të zhvillimit të kapitalit njerëzor. Edhe qeveritë e vendeve eksportuese të naftës duhet të marrin në dorë drejtimin e politikave dhe të krijojnë inçentiva për individët që të zhvillojnë aftësitë e nevojshme në sektorin privat, veçanërisht në industritë e rëndësishme të eksportit. Ata duhet të përmirësojnë qeverisjen, transparencën, konkurrencën dhe veçanërisht edukimin duke implementuar programe të zhvillimit social dhe duke mbajtur nën kontroll pagat e sektorit publik dhe punësimin, për të shmangur dekurajimin e firmave private dhe tregut të punës. Natyrisht, këto hapa duhet t’i marrim me një sy drejt stabilitetit makroekonomik dhe financiar.