Transmetuar më 21-01-2017, 20:21

Nga Lutfi Dervishi

Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalia e parë për të sqaruar se çfarë është gënjeshtra është: fjalë e thënë që nuk është e vërtetë!

Gënjeshtra e ka një referim tek e vërteta. Përpiqet ta fshehë të vërtetën, ta tjetërsojë, ta rrumbullakojë dhe kur arrin sukses ta minojë dhe si e tillë duhet respektuar. Duhet respektuar sepse gënjeshtra në përpjekjet e saj për të fshehur të vërtetën shpesh bën ndonjë gabim dhe edhe vetë shfaqet si gjysëm e vërtetë.

Historikisht gënjeshtrën e kanë patur zët. Leon Tolstoi, thoshte: "ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues" (Anna Karenina)!

Çurçill dikur thoshte: në kohën që e vërteta ka veshur njërën këpucë, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës. Kjo shprehje vlente shumë për shekullin e 20.

Në shekullin e 21, me internetin, gënjeshtrës nuk i duhet shumë kohë për të bërë xhiron e botës. Mjafton fraksioni i sekondës, momenti, çasti që shtyp butonin në tastierë dhe…gënjeshtra shkon si tek ata që i kanë sytë në ballë edhe tek ato që i kanë mbetur sytë te celulari tjetrit.

Por, çuditërisht në vend që të shtohet zemërimi/përçmimi për gënjeshtrën dhe gënjeshtarët po ndodh e kundërta. Po shtohet…respekti!

Respekti për gënjeshtrën sa vjen dhe rritet kur sheh që sot me ndihmën e rrjeteve sociale gëlojnë broçkullat, dënglat, gjepurat, budallallëqet, sajesat, përrallat, hajvanllëqet, fallsifikimet, trillimet, thashethemet, fabrikimet,  gomarllëqet…

Nuk janë problem gënjeshtarët, ose më saktë janë problemi më i vogël. Gënjeshtari të duket xhentëllmen përballë sharlatanit.

Sipas përcaktimit të fjalorit të gjuhës shqipe, sharlatani është një "që hiqet si i zoti dhe mashtron në mirëbesim të tjerët".  Nuk ka mbrëmje në ekranin e televizionit që nuk e sheh një të tillë. A keni qenë me fat të shihni postime që të bëjnë të vendosësh dorën me vrap në fytyrë që të mos bjerë mjekra në tokë?!!

Nuk janë vetëm sharlatanët që e bëjnë ditën shumë të këndshme. A i keni parë delirantët?

Para delirantëve, gënjeshtarët të duken ëngjëj. A keni parë delirantë që të flasin për botën, kozmosin, SHBA-në, Europën, Sorosin, Merkelin, Trumpin, Kosovën, ngrohjen globale, terrorizmin,  – me po atë lehtësi, kopetencë dhe mllef që llafazanja e lagjes të flet në radhën e supermaketit për komshien që ka hedhur nga kati 7 qesen e plehrave.

Njeriut në jetë i bie të jetojë mes shumë urimeve dhe mallkimeve! Brezin e medias së re dhe asaj sociale e ka zënë "mallkimi" kinez: jetofsh në kohëra interesante.

E ku ka kohë më interesante që gënjeshtra të duket e keqja më e vogël përballë broçkullave!

Gënjeshtrën nuk e beson. Broçkullave çfarë t’i bësh? /syri.net/

Shënim: Opinionet e publikuara nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin editorial të NOA.al