Transmetuar më 21-01-2017, 20:13

Nga Artur Zheji

Ai e ngjizi dhe e ndërtoi Ramën si punonjësit e talentuar të argjilit, që ndërtojnë poçet apo skulpturat e tyre. Plot dashuri dhe përkushtim.

Asokohe, Edi Rama ishte një artist ambicioz, një ambicie e panjohur atëhere që mund të shkonte deri në këto përmasa, përderisa i rikthyer në Shqipëri në vitin 1997, u emërua Ministër Kulture nga ish kryeministri Fatos Nano.

Aty edhe filloi shbërja dhe ribërja nga e para, e dukurisë Rama, që ndërkohë ishte demonizuar, sharë dhe dhunuar nga ish Presidenti Berisha, që ishte në apogjeun e agresivitetit të vet politik dhe personal, ndaj të gjithëve dhe ndaj gjithshkaje.

Kokëdhima qëndroi mbrapa ministrit të ri, të cilin PS e zbuloi si një kamikaz verbal anti-Berisha. Ishte viti ’97 dhe ’98 dhe Presidenti e më pas ish Presidenti, ish i papërmbajtshëm në gjithë pushtetin e tij. Në atë klimë përplasjesh të egra, ish artisti i butë dhe inteligjent Rama, po shndrrohej në politikanin Rama. Padyshim që Koço, i ka ushqyer ambicien ish të riut “ëndërrimtar”, i ka bërë të qartë skemat dhe taktikat politike, që ai, gradualisht ish Piktori, të shndrrohej në një “kafshë politike” ose në një “attack dog” politik, fillimisht kundër Berishës, e më pas ndaj të gjithë atyre që i zinin rrugën e përpjetë drejt pushtetit.  Mirëpo Poçebërësi Kokëdhima, kishte edhe ai, po aq ambicie sa edhe “Poçja Rama”, madje ai vendosi ti japër formën e një skulpture speciale, duke u shndëruar në busullën dhe në hartën e zig-zageve taktike, për lundrimin e Krijesës së tij politike drejt majave më të larta.

Dhe kështu, Poçebërësi dhe Poçja udhëtuan sëbashku deri në vitin 2013, ku Kokëdhima dhe jo Nar Koka, ishte Ndërmjetësi dhe Garanti, që solli “Darkën e ngjalave” në Lalëz, ose e thënë ndryshe Paktin e Ri, Meta-Rama, që bëri Edin kryeministër.

Pushteti shpirtëror dhe mendor i Kokëdhimës ndaj Ramës, lexohej me shumë xhelozi, nga miqtë e rinj dhe të vjetër të kryeministrit, të cilët nuk lanë pështymë e gëlbazë publike dhe jo vetëm, pa hedhur kundër Kokëdhimës, për të nxitur Ramën kundër tij.

Dhe Rama e hëngri karemin dhe kafshoi grepin, i përkëdhelur nga votat e 2013-ës, nga ndjesia e pushtetit, nga urtësia e Metës, si edhe nga suksesi i marrëdhënieve të atëhershme ndërkombëtare të kryeministrit, flasim këtu për vitet 2014 dhe 2015, 2 vitet e para entuziaste të qeverisjes së tij. Ai e braktisi Poçebërësin e tij, duke i bërë qejfin Berishës, Karlo Bolinos dhe një pjese të kupolës së re të PS. Duke patur iluzionin se Kokëdhima do të dorëzohej herët a vonë dhe do të pajtohej me pozicionin e ri, të një personazhi të dorës së dytë, që duhej të ulej dhe të shkruante mundësisht kujtimet e veta dhe të merrej me muzeun e vet shtëpiak.

Mirëpo llogaritë e Ramës, si edhe në mjaft raste të tjera, kur edhe shet miqtë apo ish miqtë e tij të dikurshëm, si pa gjë të keq, sipas sindromës se ai dhe vetëm ai, mund t’ja lejojë vetes këtë gjë, duket se nuk kanë dalë në rregull.

Kokëdhima, Poçebërësi i tradhëtuar nga krijesa e tij e dashur, është sot një zotëri i nxehur dhe i rrebeluar, që përbetohet të ndreqë gabimin e tij të madh që quhet Edi Rama.

Dhe ai ka themeluar këto orë Lëvizjen e tij politike, që mbiquhet “Zgjidhja!” dhe që po merr me shpejtësi trajtën e një force të re politike. Duke përllogaritur influencat e Kokëdhimës, një nga pak patriarkët e mirëfilltë të së majtës, “Zgjidhja” do të jetë një kokëçarje që do të vendosë herët a vonë në diskutim lidershipin e Partisë Socialiste.

Pamvarsisht se Rama duket sot ende shumë i fuqishëm, sidomos në planin financiar dhe në rreshtimin e Skuadroneve të keqbërësve, që përbëjnë sot ushtrinë e mercenarëve që i mbron pushtetin por edhe që ja kalb çdo ditë dhe në çdo qelizë këtë pushtet në sytë e të gjithëve, dalja kundër e Kokëdhimës, do të ketë pasoja, efekti i të cilave sapo ka filluar.

Sepse Kokëdhima e ka filluar betejën e zhgënjimit të tij, aty ku kryeministri është përherë e më i dobët. Tek njerëzit e këputur dhe të braktisur. Ndryshe nga çfarë mund të mendohej, Koço, si biznesmen, nuk është se ka krijuar një grupim apo ndonjë kartel oligarkësh, të cilët janë tanimë banorë të përhershëm të paradhomës së kryeministrit, por te socialisti i harruar i kateve përdhese.

Dhe reagimi i socialistëve të kateve të harruara përdhese, si protest reale e zgjuar nga Kokëdhima ndaj Kupolës së kateve të larta të PS, do të krijojë tërmet te themelet e pushtetit. Sepse gjithmonë ndodh i njejti gabim i pushtetarëve arrogantë, harrojnë katet përdhese, të cilat janë pikërisht kati më i afërt me themelet e një ngrehine.

Dhe kur ngrenë krye Themelet, as paraja dhe as Skuadronet e Mercenarëve nuk japin dot një zgjidhje, kundër Zgjidhjes!

Shënim: Opinionet e publikuara nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin editorial të NOA.al