Transmetuar më 21-01-2017, 19:57

Nga Giacomo Dolzani “NotizieGeopolitiche”

Ka ngjallur shumë reagim, sidomos në ambientet e opozitës me qeverinë e kryeministrit Edi Rama, pushimi nga puna i një numri të madh gazetarësh të punësuar në mediat kryesore shqiptare, si dhe braktisja vullnetare e vendit të punës nga disa elementë të tjerë me emër në gazetarinë kombëtare. Sipas Lulzim Bashës, lider i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe një ndër përfaqësuesit kryesorë të opozitës, “këto janë lajme të këqija dhe një hap drejt uzurpimit të medias nga ana e një regjimi kriminal dhe të korruptuar”. Ai gjithashtu ka thënë se mungesa e këtyre gazetarëve “do të lërë të përditshmet dhe televizionet edhe më shumë në duart e qeverisë”, e cila, gjithnjë sipas Bashës, është duke ofruar shpërblime ekonomike në shkëmbim të mbështetjes politike, sidomos tani në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike në qershor 2017. Shumë përfaqësues të gazetarisë po shprehin, sidomos përmes rrjeteve sociale, preokupimin e tyre për atë që po shndërrohet një disbalancim gjithnjë e më i fortë i informacionit kundrejt pozicioneve qeverisëse, një situatë që lë gjithnjë e më pak hapësirë për zërat kritikë në drejtim të Ramës dhe Partisë Socialiste. Nën reflektimin e kësaj polemike është ndodhur edhe transmetuesi televiziv “ABC News” (Albanian Broadcasting Corporation), një ndër televizionet më të rëndësishme në Shqipëri, ku kryeredaktori, Armand Skullaku, pas katër vjetësh punë, ka njoftuar se nuk do të rinovonte kontratën me kompaninë, duke preferuar që të gjejë një punë tjetër gjetkë. Edhe pse Shkullaku nuk është shprehur për arsyet e vendimit të tij, faktin që zgjedhja është diktuar nga motive politike e lënë të kuptohet mesazhet e nxjerra në Facebook dhe Twitter, të publikuara nga gazetarë të tjerë të redaksisë, të cilët e kanë krahasuar me ishullin e fundit për pavarësinë e medias përballë presioneve që vijnë nga jashtë ambienteve të fushës. Tregues i një klime të përzishme në brendësi të transmetuesit është edhe largimi i një pjese të mirë të korrespondentëve nga vende të tjera, mes të cilëve Vincent Triest, i dërguari në Holandë dhe Gjermani, i cili ka shkruajtur një tweet: “situata në mediat shqiptare është shumë e brishtë” dhe “duke parë ndryshimet më të fundit, nuk ka më vend për mua në ‘ABC’; fatkeqësisht të gjithë korrespondentët e huaj janë pushuar nga puna”. Një tjetër braktisje e rëndësishme është ajo e gazetarit Alfred Lela, drejtor i Gazetës MAPO, organ i grupit botues “MAPO media”, në pronësi të Henri Çilit, i cili, pasi është rreshtuar publikisht në favor të Edi Ramës ka imponuar linjën e vet politike në rrugën e pronësisë së tij. Ky pozicionim ka shtyrë Lelën që të dorëhiqet nga vendi i tij i punës ndërkohë që ka deklaruar: “nuk mundem personalisht dhe profesionalisht të jem i detyruar të përqafoj një pikëpamje që nuk është e imja”. Shqipëria, që në klasifikimin e “Reporteri Pa Kufi”, në lidhje me lirinë e shtypit, renditet e 82-ta në botë, ende paraqet probleme të rënda në aspektin e pavarësisë së medias, që në fakt shkon në një hap me nivelin në rritje të korrupsionit të një qeverie që kërkon të zgjerojë gjithnjë e më shumë influencën e vet mbi informacionin. Një situatë e tillë është linjë konstante në pjesën më të madhe të vendeve në gadishullin ballkanik, ku për gazetarët, pesha e pushtetit politik përbën ende, në raste të ndryshme, një burim preokupimi.

Shënim: Opinionet e publikuara nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin editorial të NOA.al