Transmetuar më 21-01-2017, 19:55

Nga Frrok Çupi

Davos është një qytet-fshat në Alpet e Zvicrës që ka marrë kuptimin e “botës”. Ka vetëm 11 mijë banorë, por një herë në vit bëhet me 14 mijë. 3000 vetë që janë të zgjedhurit nga më të pasurit e botës, i shtohen fshatit dhe e “plehërojnë” me para deri në Forumin tjetër të Davos. Sot, që është e premte, mbaron forumi për këtë vit. 3000 njerëzit më të pasur arratisen nga Davos. Interesante, ky që quhet Forumi Ekonomik Botëror i Davos, në thelbin e vet është i arratisur. E para, i arratisur nga bota ku jeta zhvillohet ndryshe, njerëzisht. Ndërsa këta janë që mbajnë në duar pasurinë, thuajse të të gjithë botës. 62 pjesëtarë të forumit të sivjetmë, mbajnë në duart e tyre pasurinë e gjysmës së njerëzimit, prej 3.6 miliardë frymëve. Këtë vit hendeku mes të pasurve dhe të varfërve që pasqyrohet në Davos, është më i thellë se vitin e kaluar- sipas Oxfam, organizatë kundër varfërisë. E dyta, forumi i Davos, me këtë format, mendohet se nuk do të përsëritet më. Dje, “New York Times” shkruante se më në fund elita e Davos ka kuptuar se “i iku koha”. Ranë elitat financiare në tregjet botërore, ranë edhe elitat e majta liberale në të gjitha qeveritë internacionale. “Elita në Davos është e mërzitur me klasën punëtore në gjithë botën, e cila u shembi kështjellën”, shkruante dje “Bloomberg”. Sot largohen të gjithë nga Davos… Me çfarë ngarkese?! 1. Globalistët kthehen të rrënuar, por edhe të kapur akoma pas shpresave. Këta akoma nuk kanë kuptuar çfarë po ndodh. Robert Muggah dhe Misha Gleni- dy autorë të njohur, po luftojnë kundër populizmit- si një armik që mund ta mposhtin me fjalë. “Populizmi është helm!”, thanë ata në bashkautorësi; dhe kërkuan shpëtim në “qytetet plurale”. Ideja e qyteteve plurale ka skaduar me kohë. Aq më shumë tani kur populizmi po manifeston fitore shumë të shpejta. Vetë inaugurimi i presidentit amerikan Trump në ditën finale të Forumit të Davos, duket si një koinçidencë epokaliptike për të dëshmuar se këtu është fundi i ideve globaliste. Stuhia e populizmit që po vërshon në gjithë botën, që nga Gauntanamo e deri në Itali ku referendumi populist fundosi Renzin, ka dy targete kryesore: diversitetin dhe establishmentin! Atëherë si mund të mbahen idetë globaliste të Davos të varura në degë të rrëzuara?! Globalistët përsëri nuk shikojnë; më pak shikon ai që nuk do të shikojë. Klasa punëtore dhe popujt janë ndarë nga këto lloj elitash demagoge dhe “korrekte”- domethënë që pasurohen për vete në mënyrë ligjore. Po vijnë zgjedhjet në Europën Perëndimore: Në Holandë, në Gjermani, në Francë, në Itali… Edhe megaglobalistja Merkel shkon në zgjedhje me kokulur, duke parë humbjen. Ajo nuk desh më të ballafaqohej me “vetveten” dhe nuk erdhi në Davos. Edhe në Europën Juglindore fryn erë kundër elitave të mykura. Në Shqipëri, edhe sikur të vidhen zgjedhjet e qershorit, deri në fund të vitit rrëzohet qeveria “liberale” që i vjedh zgjedhjet. Antiglobalistët kanë fitoren në duar. Ndërsa globalistët- sipas “New York Times”, “u mblodhën në Davos dhe festuan vetveten”. 2. Simbolikë e thjeshtë në Davos: Ndarja e ngjyrave. Këtë herë në Forumin e Davos, bexhat e pjesëmarrësve ishin në ngjyra diference. Për shembull, pjesëmarrësit kryesorë- me ngjyrë të bardhë; ndërsa gazetarët- me ngjyrë portokalli (sivjet vëzhguan 500 gazetarë). Përveçse këta të elitës (që mbajnë në duar pasurinë e gjysmës së botës) nuk deshën të zbulohen nga gazetarët në çdo seancë dhe iu mbyllën dyert, por tregues është ndarja sipas ngjyrave. Ka një hendek shumë të madh mes atyre që veç mbijetojnë dhe atyre që skllavërojnë. Sipas statistikave të shpërndara mbi Davos, një në mes dhjetë vetëve mbijeton me më pak se dy dollarë në ditë. Agjencia amerikane “Association Press” publikoi këtë fakt: Miliarderët që mbushin edhe enklavën e  Davos, paguajnë më pak taksa se pastruesja dhe se sekretarja e tyre. Me aq shumë dollarë sa paguhet për “ngrohjen globale”- ku ndodh edhe vjedhja më e madhe, mund të krijoheshin 100 milionë miliarderë… Davos është enklava ku bëhen këto diferenca tragjike. Noah Baklin i “Reutres” shkruante se forumi sivjet “nuk është asgjë tjetër, veçse një festim”. 3. Elita e Davos, dritëshkurtër. Si sot një vit më parë, në tavolinat e “kumbarit” të Davos luhej loja “me Trump” që nuk mund të fitonte “kurrë”. Në Davos u hodhën letra dhe përbetime se Trump nuk mund të bëhet president. Dhe fjetën rehat. As Brexit-in nuk mund ta besonin. “Britanikët të votojnë kundër BE?… Harroje. Dhe fjetën. Të fundosej Renzi!, të tkurrej Merkeli!, të vërshonte klasa punëtore kundër moçaleve qeveritare?… Nuk mund ta besonin. Elita e humbi yllin e të qenit qendër e universit. Kësaj here në forum u tha se Trump është Elefanti i Davos; ndërsa për elitat financiare u kuptua se humbën terren, edhe elitat politike, por edhe elitat kulturore po shikojnë që iu zbehet ylli… Po populistët?… Këta sapo po vijnë furishëm. Populistët po e përdorin Davos-in si provë se çdo gjë mbaroi. Ndërsa globalistët do ta përdorin Davos-in si provë për t’u kthyer. Të paktën kjo përshtypje u krijua në atë enklavë të largët nga bota njerëzore; në atë forum në exile.

Shënim: Opinionet e publikuara nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin editorial të NOA.al