Transmetuar më 21-01-2017, 19:42
Publicitet

Nga Ilva Tare

Një valë e zellshme debatesh, reagimesh dhe qëndrimesh kryesisht në sferën virtuale në pronësi të Mark Zuckenberg-ut ka shpërthyer pas lajmit të pasurisë së deputetit Peza. Duke e mirëkuptuar sasinë e hipokrizisë të gjithkujt, që sillet sikur politikanët e pasur nuk janë jetuar kurrë në Shqipëri, është e vështirë të justifikohen kryqëzatat virtuale sidomos nga disa individë që janë të investuar për t’i shërbyer ndonjë politikani a grupimi të veçantë. Persona të tillë qartësisht me emër apo anonimë, kanë axhendë dhe funksionojnë si mercenarë dhe janë të udhëzuar për çdo koment.

Pavarësisht se çfarë mendojnë sponsorizuesit e statuseve apo lajmeve që u “zbuluan” befas dhe në mënyrë rastësore, edhe qytetari më i painformuar nuk ka nevojë të dijë funksionin dhe deklarimin në ILDKPI për të kuptuar se vënia e lupës vetëm ndaj një individi është e orkestruar dhe fsheh qëllimin e vërtetë të bujës së radhës. Nuk është e thënë të kesh diplomë ekonomiku apo jurisprudence për të analizuar pasurinë dhe stilin e jetesës së politikanëve, deputetëve, drejtuesve të institucioneve të varura dhe të pavarura.

Se sa të pasur janë politikanët në Shqipëri, e dinë të gjithë shqiptarët që bëjnë pazar te tregu i lagjes, që blejnë brokoli me katër mijë lekë të vjetra, që nuk dinë të të thonë ndonjë emër restoranti të shtrenjtë në Tiranë dhe nuk blejnë veshje firmato. Shqiptarët e thjeshtë që nuk kanë mundësi të udhëtojnë çdo javë nga Rinasi, që nuk kanë në pronësi pallate dhe vila dhe që nuk i çojnë dot fëmijët tek gjyshërit në ndonjë qytet afër Tiranës, jo më në destinacionet më të shtrenjta të globit, duket se i janë dorëzuar fatit për të mbetur të tillë teksa të zgjedhurit e tyre shtojnë zerot marramendëse.

Sikundër nuk ka nevojë të ketë informacion të kualifikuar mbi numrin e portaleve apo faqeve të caktuara që ndihmohen financiarisht për t’u “nxjerrë bojën” rivalëve dhe armiqve të momentit dhe për t’i mbrojtur ata vetë me gjoja satirë të hollë. Sepse në realitet as politikanët nuk kanë frikë të fshihen përpara qytetarëve të tyre, përkundrazi e shfaqin me krenari pasurinë dhe as vetë populli nuk u ka rënë në qafë duke i demaskuar apo anatemuar për luksin që u paraqitet në formë parade për çdo ditë, në forma të ndryshme, që nga automjetet luksoze me të cilat lëvizin apo dhe te selitë e reja partiake me shumë kate që nuk dihet kush i paguan.

Madje, shqiptarët janë aq të urtë sa nuk ndjehen as kur mbyllen shkollat për fëmijët e tyre, ndërkohë që fëmijët e subjekteve të deklarimit të pasurisë vazhdojnë mësimet në kryeqytetet e Europës apo kontinenteve të tjera. Nuk bëzajnë as kur në spitale nuk marrin shërbim dhe u duhet të heqin bukën e gojës për të paguar ilaçet, ndërsa pjesa më e madhe e politikanëve kurohen jashtë shtetit. Por sërish nuk rebelohen dhe as kanë mundësi të provokojnë opinionin publik për ngritje në revoltë. Pafuqia e institucioneve të pavarura të shtetit për të vepruar si të tilla ndaj pushtetarëve më të lartë është fytyra e pafuqisë së qytetarëve, për ta përdorur të drejtën dhe votën e tyre për të mos lejuar vazhdimin e talljes. Por nuk ka pse të jetë gjithmonë kështu. Një ditë, hetuesve të Facebook-ut dhe të habiturve të stisur do t’u duhet të shohin edhe sponsorizuesit e tyre përpara llogaridhënies. /JavaNews/

Loading...