Transmetuar më 21-01-2017, 19:40

Nga Mark Marku

Largimi i Armand Shkullakut dhe Alfred Lelës, njëri drejtor i kanalit televiziv ABC News, tjetri drejtor i gazetës Mapo ka trazuar korporatën e profesionistëve të medias dhe opinionin publik shqiptar.

Në pamje të parë këto ndryshime duken si lëvizje “normale” brenda sistemit mediatik, madje si një e drejtë e pronarëve për të zgjedhur personat që menaxhojnë mediat për të cilat ata kanë investuar jo pak. Por, këto lëvizje shkojnë përtej kësaj logjike thjeshtëzuese dhe shqetësimi i ngritur shkon te një çështje jetike për shoqërinë dhe demokracinë: liria e mediave dhe pavarësia e ushtrimit të profesionit të gazetarit në Shqipëri. A janë të kërcënuara dhe të rrezikuara ato aktualisht në Shqipëri? Një përgjigje e tipit aksiomatik të sugjeron një po ose një jo të prerë, varësisht pozicionit të përgjigjedhënësit. Po ose jo, cilado qoftë përgjigjja, nuk hedh dritë mbi raportet e mediave me pushtetin në këto tre vjet të qeverisjes së Ramës. Analiza e dukurisë ndoshta është përgjigjja më e mirë.

Edhe pse largimi i Shkullakut shkakton më shumë bujë se ai i Lelës, pasi kontributi i të parit në gazetarinë shqiptare postkomuniste është më i madh se i Lelës, ata i bashkon e njëjta gjë: qëndrimi kritik ndaj qeverisë së Ramës.

Shkullaku ka qenë ndër zërat më të spikatur kritikë ndaj Ramës dhe Lela, me disa lëkundje, ka qenë po i tillë. Pra është fakt se ndryshimet godasin dy nga zërat qartësisht më kontestues të Qeverisë në media dhe rrjedhimisht lind edhe pyetja e parë: Pse bie drapri pikërisht mbi kritikët e qeverisë? Përgjigjja për një pyetje të tillë bëhet edhe më e qartë kur kemi parasysh se jo pak muaj më parë, kryeredaktori i lajmeve të kanalit televiziv Top Channel, Mentor Kikia, u përfshi nga drapri i ndryshimeve. Arsyet e heqjes së tij mund të kenë qenë të ndryshme dhe ndoshta të arsyeshme për pronarët e Top Channel-it, por ama një gjë dihet qartë: Mentor Kikia ishte bërë shumë aktiv në rrjetet sociale me komente dhe qëndrime kritike ndaj qeverisë. Shembuj të tjerë? A ju kujtohet se si gazetarja dhe drejtorja e “A1”, Alida Tota, u pushua nga puna pak muaj më parë prej pronarit të saj për të njëjtat arsye? Po emisioni investigativ “Publicus” nga Vizion Plus, a ju kujtohet, si u ndërpre në episodin e tij të tretë teksa po investigonte për të riun e vrarë në landfillin e Sharrës? Dhe për të shkuar më tej, a e ka vrarë kush mendjen pse u mbyll përmes një urdhri sekuestrimi kanali televiziv Agon, pa i dhënë as kohë ankimimi në gjykatë pronarit të saj? U tha atëherë nga qeveria se televizioni u mbyll për shkak të aktivitetit të paligjshëm të pronarit të saj italian. Ndoshta pronari edhe e ka pasur një aktivitet të tillë të paligjshëm, gjë që edhe nënkuptohej prej faktit se si ai u fut në mënyrë të diskutueshme në tregun e mediave shqiptare, duke zhbalancuar marrëdhëniet financiare përmes ngritjes arrogante të pagesave të gazetarëve që punonin për të. Por, televizioni i tij nuk u sekuestrua dhe nuk u mbyll për një gjë të tillë, se ndryshe do të duhej të mbylleshin pjesa më e madhe e mediave shqiptare. Ai televizion u mbyll sepse këto paga marramendëse shkonin për kritikët e qeverisë: Fatos Lubonjën, Andi Bejten, Sonila Meçon, Adi Krastën, Saimir Kodrën, Gentian Zenelin etj. E si mund të paguhen kritikët e qeverisë në një vend ku qeveria investimin më të madh të të gjithë qeverisjes së vet ka propagandën, ose më saktë PR-in, të konceptuar si një sistem të orkestruar të shpëlarjes së trurit të publikut dhe manipulimin e informacionit? Si mund të lejohej kjo në një vend ku të punësuarit në zyrat e PR-it të institucioneve qeveritare janë të vetmit të punësuar nga 200 mijë të punësuarit e Rilindjes të premtuar gjatë fushatës elektorale? Pa shkuar në shembuj të tjerë, ngrihet edhe një herë pyetja: Pse “dorëhiqen”, apo hiqen kritikët e qeverisë, pse u ndërpriten investimet vetëm emisioneve investigative kritike ndaj qeverisë, pse mbyllen vetëm mediat kritike ndaj qeverisë? A mund të jetë kjo thjesht një rastësi a lojë e fatit dhe nëse po, a nuk duhet të dyshojmë se fati a rastësia nuk qenkan gjë tjetër veçse një instrument i verbër i kontrolluar nga Rama apo Veliaj?

Të vazhdosh pyetje të tilla, pa u shprehur hapur, do të thotë të bësh ose idiotin, ose frikacakun, ose të poshtrin, ose të tria bashkë. Është më se e qartë për këdo që e njeh botën e mediave dhe parimet elementare të funksionimit të demokracisë se jemi para kërcënimit serioz të lirisë së medias dhe pavarësisë së ushtrimit të profesionit të gazetarit në Shqipëri. Deri tani bota e mediave dhe opinioni publik ka bërë veçse disa reagime të vakëta për një gjë të tillë. Gazetarët nuk kanë reaguar kur kolegët e tyre janë ndëshkuar dhe të gjithë bashkë kanë reaguar pak ose aspak kur Kryeministri Rama e ka shprehur qartë me një gjuhë diskriminuese që do t’ia kishte zili edhe Enver Hoxha projektin e tij të intimidimit dhe të mbylljes së gojës së gazetarëve duke i fyer, sharë dhe kërcënuar, si askush tjetër ata. Për Ramën, mediat nuk janë asgjë tjetër veç kazanë plehrash dhe ashtu siç i zhduku kazanët e plehrave në rrugë kur mbi ta u shkruan emrat e abuzuesve të pushtetit me Ramën në krye, po ashtu po kërkon që t’i zhbëjë mediat bashkë me gazetarët, sa herë që informacioni që ata prodhojnë nuk i shkon për shtat qeverisë. Publiku ndoshta ende nuk e di se informacioni që merr për punën e qeverisë dhe institucioneve shtetërore në thuajse 90% të tij është i prodhuar nga zyrat e PR-it të qeverisë dhe institucioneve shtetërore dhe i ofrohet publikut pa asnjë ndryshim nga mediat. ABC-ja, kanali televiziv që drejtonte Armand Shkullaku, kishte kurajën t’ia thoshte publikut se materiali ishte i gatshëm dhe i ofruar nga këto zyra sa herë transmetonte kronika të tilla, por Armand Shkullaku, që e bënte një gjë të tillë, sapo është larguar nga menaxhimi i kanalit televiziv.

Edhe kur ka pasur ndonjë reagim, gishti akuzues është drejtuar gabimisht mbi pronarët e mediave dhe jo mbi fajtorin kryesor, Edi Ramën. Natyrisht, presioni i Ramës ushtrohet përmes tyre mbi gazetarët. Por nëse i shkojmë në thelb problemit, duhet të mos harrojmë se ata janë po aq të shantazhuar sa edhe gazetarët nga Rama. Madje, në mënyrë shumë të kamufluar, qeveria bën përpjekje që fajësinë ta orientojë drejt pronarëve për ta larguar nga vetja. Shpeshherë harrohet se me investimet e tyre ata kanë mundësuar krijimin e një sistemi mediatik që edhe pse me shumë probleme, ka krijuar hapësira të mëdha të lirisë së informimit në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre i mbajnë mediat me sakrifica dhe përmes aktivitetit ekonomik që ushtrojnë në fusha të tjera përtej botës së mediave. Duke qenë një treg ekonomikisht jo rentabël, për shkak të faktit se është një treg i vogël, tregu mediatik shqiptar do ta kishte të pamundur të ngrihej deri këtu pa fluksin financiar të bizneseve të tjera. Kriza ekonomike dhe presioni i qeverisë mbi bizneset është rritur edhe mbi pronarët e mediave, sepse Rama ka ngushtuar paralelisht edhe lirinë e tregut, edhe lirinë e mediave, kështu që, të gjendur para kërcënimeve të vazhdueshme të qeverisë, ata duhet të zgjedhin: ose kompromis me qeverinë, ose faliment. Dhe meqenëse nuk janë heronj po biznesmenë, zgjedhin kompromisin. Në këtë drejtim ata duhen kuptuar si instanca që përballen në mënyrë permanente me kërcënimet e qeverisë dhe për këtë arsye, para se të akuzohen si përgjegjës të presionit mbi gazetarët, duhen kuptuar si subjekte ekonomike të kërcënuara me faliment. Ja pse duhet edhe rezistencë ndaj tyre, po edhe koalicion me ta dhe të gjithë bashkë rezistencë ndaj projektit të qeverisë për ta shndërruar gjithë sistemin e mediave në një sistem propagande të qeverisë.

Format e kësaj rezistence për momentin po shfaqen me emigrimin e gazetarisë drejt mediave të reja. Por kjo nuk është zgjidhja. Nëse mediat tradicionale e humbin betejën me qeverinë, natyrisht do t’u vijë radha edhe mediave sociale. Mjaft të kujtojmë këtu Turqinë e Erdoganit, ku pasi i lau duart me mediat tradicionale, duke e mposhtur rezistencën e tyre, i vuri në kontroll edhe mediat sociale. Por pa shkuar te Turqia, pasojat e represionit mbi mediat dhe nënshtrimit të saj i kemi në Shqipëri dhe jo më pak se 20 vjet më parë, kur në përpjekje për të kontrolluar hapësirën informative dhe gazetarët, qeveria e parë e Berishës përmes SHIK-ut të Gazidedes i përndiqte, rrihte, madje edhe i burgoste gazetarët. Pasojat dihen: zgjedhjet e 96-s, piramidat dhe konflikti civil që e çoi në zgrip shoqërinë dhe demokracinë shqiptare. Duket se Rama po shkon me shpejtësi, por në një formë tjetër, drejt së njëjtës paranojë. Vetëm se këtë radhë pa britmat dhe rezistencën e korporatës së gazetarëve që shoqëronin sulmet e Berishës ndaj mediave. Sot bota e mediave zien mesvedi për presionet e shumta që vijnë nga Rama, ministrat e qeverisë së tij, nga kryebashkiaku Veliaj, nga këshilltarë, ndihmëskëshilltarë, dhe kjo ndodh natë për natë, ditë për ditë. Rrëfehen me qindra raste të tilla nga pronarë mediash, gazetarë, kryeredaktorë. Të gjithë e dimë çfarë po ndodh, por pakkush flet. Duhet që më në fund pëshpërimat të shndërrohen në denoncime që publiku ta marrë vesh atë që po ndodh me mediat. A do të kenë apo jo rezultat denoncimet, kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: krimi i vrasjes së lirisë së mediave nuk do të kryhet në heshtje. Ndoshta britma do t’i shkojë në vesh edhe ambasadorit Lu, apo ambasadores Vlahutin dhe ndoshta do të ndërhyjnë. Ndoshta edhe shoqatat e gazetarëve do ta thonë më në fund një fjalë për gazetarët dhe lirinë e mediave dhe Aleksandër Çipa, kryetari i njërës prej tyre, do të shkëputet më në fund nga përsiatjet e padobishme për poezinë e Dritëro Agollit dhe do të na bëjë një thirrje për t’u mbledhur të gjithë në shesh, apo në një sallë, për t’u bërë ballë bashkërisht kërcënimeve të qeverisë. Ndoshta institutet dhe shoqatat e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, që marrin miliona euro fonde nga organizmat ndërkombëtare, do t’i “informojnë” më në fund këto organizma për regresin që po ndodh këtyre anëve. Reagimet e izoluara ngjajnë tashmë me blegërimat e kopesë së qingjave në thertore, ku secili blegërin për vete. Melodi e vërtetë për veshët e kasapit. Besoj e kuptuat ku rreh çekani i titullit. /Panorama/