Transmetuar më 21-01-2017, 15:14

Kryeministri Edi Rama së bashku me familjarët e viktimave të 21-janarit, kanë vendosur lule në vendin ku ata mbetën të vrarë.

Katër protestuesit mbetën të vrarë në 21-janarin e 6 viteve më parë, në bulevard, pranë godinës së kryeministrisë.

Kryeministri Edi Rama priti gjatë ditës së sotme në Pallatin e Brigadave familjarët e katër viktimave të 21 Janarit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Aleks Nikaj dhe Faik Myrtaj.

Në fjalën e tij me rastin e gjashtë vjetorit të demonstratës së 21 Janarit e cila u mbyll me katër viktima, kreu i qeverisë tha se drejtësia për këtë çështje është e vonuar dhe ka nevojë për të kapërcyer hendekun që është hapur në mes të bulevardit, mes vendit dhe drejtësisë.

Ai tha se dëmshpërblimi për familjarët e viktimave nuk ishte qokë, por detyrim.

Rama deklaroi se pak ditë më parë në qeveri u miratua fondi i dëmshpërblimit për familjet e viktimave, që sipas tij është një detyrim që nuk e lehtëson barrën e qeverisë, por që dëshmon që është deri në fund solidare me gjithçka që ka në dorë.