Transmetuar më 21-01-2017, 13:00

Tiranë, 21 janar 2017, NOA.al- Autobusët e linjave ndërkombëtare do të vendosen në terminalin e ri të ndërtuar në sheshin pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”.

Bashkia e Tiranës ka rehabilituar hapësirën përreth zonës, duke e kthyer atë në një hapësirë që do të shërbejë si parking dhe si terminal i përkohshëm për të gjitha automjetet e transportit të udhëtarëve me jashtë vendit.

Punimet e realizuara u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri të ditur se me anë të këtij investimi krijohen dy hapësira për parkingje.

“Sot hapim dy hapësira të mëdha parkingu: Për autobusët dhe për qytetarët që përdorin makinat e tyre private, sipas konceptit ‘park and ride’, pra e parkon makinën përpara se të futesh te Zogu i Zi, një zonë me trafik të rënduar, e mandej të gjitha aktivitetet rreth saj mund t’i bësh në këmbë, me biçikletë ose me transport publik. 10 minutat e para janë pa pagesë, për t’u siguruar që nëse terminali i autobusëve përdoret për të lënë familjarët apo për të marrë dikë tjetër, të mos jetë nevoja të paguash”, tha Veliaj.

Ai shtoi se në këtë terminal do të organizohen të gjitha linjat dhe kompanitë që kryejnë transport udhëtarësh kryesisht në vendet fqinje, duke i dhënë fund orvatjeve të deritanishme të këtyre mjeteve dhe udhëtarëve nëpër rrugët e Tiranës.

“Kemi organizuar një terminal për të 36 linjat me destinacion Kosovën, Greqinë, Maqedoninë, Italinë apo vende. Shërbimi bëhet në një kabinë, ku merret një biletë dhe ku secili mund të shikojë oraret e afishuara. Praktikisht, kemi hequr 100 autobusë nga rrugët e Tiranës, që bllokonin trafikun”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu, ai tha se shumë shpejt do të sistemohen në një terminal të posaçëm të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve të linjave të jug-lindjes, duke shfrytëzuar një nga hapësirat e liruara kohët e fundit.

Kryebashkiaku shtoi se me të njëjtin model do të vazhdohet edhe në hapësirën te “Qyteti Studenti”, ku tashmë është liruar hyrja e liqenit te Filologjiku nga të gjitha parkingjet dhe lavazhet aty.

“Parkingu mund të jetë në krahun e “Qytetit Studenti” për ata që vijnë nga juglindja e Shqipërisë, duke liruar liqenin, por sigurisht duke mos shkaktuar trafik në qytet”, shtoi Veliaj.

Ai tha se edhe kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në terma afatgjatë tha se do të ndërtohen terminale sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare për një udhëtim normal të qytetarëve.

“Në afatgjatë jemi duke ndërtuar terminalin autobusëve në kthesën e Kamzës. Pas ndërtimit të terminalit do të kemi mundësinë që të zhvendoset përgjithmonë transporti interurban në kthesën e Kamzës, për t’u siguruar që ata që hyjnë në Tiranë kanë vetëm akses në punët e qytetit, por pa shtuar mijëra e mijëra autobusë dhe pasagjerë, që në fakt pengojnë shumë trafikun në qytet. Kështu funksionon në çdo vend të zhvilluar”, tha Veliaj.

Hapësira përpara pallatit të sportit “Asllan Rusi” do të shërbejë si parking publik me pagesë, ndërsa pjesa pas do të shërbejë si terminali i autobusëve ndërkombëtarë.