Transmetuar më 21-01-2017, 11:07

Qeveria shqiptare anuloi një vendim të vitit 2012 për kolaudimin e automjeteve frigoriferike njohur si “Kontrolli i Brendshëm i mjeteve me ushqime delikate gjatë transportit ndërkombëtar” pas një këmbëngulje të “Qendrës së Eksporteve Shqiptare”.

Alban Zusi president i “Qendrës së Eksporteve Shqiptare” përshëndeti këtë vendim të qeverisë duke thënë se qeveria e dëgjoi dhe zgjidhi këtë shqetësim të bizneseve që prekeshin nga ai udhëzim abuziv.

“Kjo është fitorja e radhës e “Qendrës së Eksporteve Shqiptare” në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që ne përfaqësojmë. Ky standard kolaudimi që u tentua të aplikohej, nuk është i aplikuar në shumicën e vendeve të BE-s dhe as në SHBA, prandaj ishte absurde implementimi në Shqipëri. Fatura që biznesi duhet të paguante për këtë shërbim të panevojshëm shkonte rreth 5 milion euro në vit. Kjo do të shkarkohej e gjitha në kurriz të konsumatorit pasi kjo kosto do të reflektonte në rritjen e çmimeve të prodhimeve ushqimore vendase. Industria ushqimore shqiptare, do të bëhej më pak konkurruese po për të njëjtën vlerë krahasuar me vendet fqinje të cilat nuk e aplikojnë këtë standard” u shpreh Zusi.

Gjithçka nisi në muajin Gusht 2016 kur Inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ndalonin, kamionët duke i paralajmëruar se nga 1 shtatori 2016, zbatohet një procedurë e re kontrolli për automjetet me temperaturë të kontrolluar.

Kontrolli iu dha në formën e koncesionit një kompanie private me një pikë të vetme kolaudimi për të gjithë Shqipërinë, nga ku kosto e procedurës ishte 40 – 60 mijë lekë të reja.

Kompanitë që operojnë me produktet ushqimore kërkuan ndihmë pranë “Qendrës së Eksporteve Shqiptare”.

Ata e quajtën këtë procedurë abuzive dhe aspak të drejtë pasi vetë kanë investuar miliona euro për prodhimin dhe transportin sipas kushteve të duhura të produkteve.

Departamenti juridik i “Qendrës së Eksporteve Shqiptare” për zgjidhjen e këtij problemi në periudhën kohore Gusht 2016-Janar 2017 nisi një komunikim intensiv me Zyrën e Kryeministrit Rama, Ministrinë e Transporteve dhe atë të Ekonomisë.

Ministria e Ekonomisë pasi u njoh me këtë shqetësim të paraqitur nga “Qendra e Eksporteve Shqiptare”, u shpreh se: “Kërkesa për certifikatat ATP për transportin e brendshëm tejkalon kërkesat ligjore”.

Gjithashtu Ministria e Ekonomisë konstatoi se: “Emërimi i një eksperti të vetëm në procesin e kolaudimit, lë hapësirë për abuzim.

Kjo ministri ia adresoi çështjen drejtpërdrejt Ministrisë së Transportit për ndjekje të mëtejshme.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës angazhoi zv.ministri Bahri Shaqiri për ndjekjen e këtij shqetësimi të komunitetit të biznesit.

Argumentet e “Qendrës së Eksporteve Shqiptare” se ky udhëzim dëmton biznesin u pranuan.

Më 17 janar 2017- përmes urdhrit Nr. 253 Ministri Sokol Dërvishaj, urdhëroi shfuqizimin e pikave 1.2b, 8, 17.1 dhe lidhja 2 Udhëzimit Nr. 7 Dt. 15.06.2012 “Për kontrollin e mjeteve të transportit në regjim të temperaturave të kontrolluara, sipas Marrëveshjeve ATP”.

18 hapat e ndjekur për anulimin e këtij urdhri

 1. Shkresë dërguar DPSHTRR në 29.08.2016

2. Shkresë më pas Ministrit e KM- 07.09.2016

3. Përgjigje e DPSHTRR- 14.09.2016

4. Shkresë tjetër drejtuar disa ministrave- 11.10.2016

5. Emaile me DPSHTRR dhe MTI (Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit)- 05.09.2016/ 06.09.2016 / 09.09.2016 / 02.10.206 / 12.10.2016 / 14. 10.2016 /24.10.2016

6. Përgjigje tjetër e DPSHTRR- 12.10.2016 / Nr.Prot. 14955/3

7. Shkresë e Ministrisë së Ekonomisë- 07.10.2016 / Nr.Prot. 7701/1

8. Përgjigje e MTI (rmosur nga Zv. Ministri)- 25.10.2016 / Nr.Prot. 4385 / 1

9. Shkresë drejtuar KM dhe ministrit- 12.12.2016

10. Argumentuam para Qeverisë rëndësinë e një Rregulloreje të re.

11. Kemi bërë kërkesën për dokumentacionin e plotë për procedurën e emërimit të kompanisë së vetme të ekspertëve, si organi i autorizuar për kontrollin e çertikatës ATP.

12. Iniciuam takime, komunikime elektronike, kërkesa zyrtare:

13. 8 komunikime telefonike janë mbajtur me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

14. Gjatë kohës që identikuam problemin, kemi dërguar dhe marrë më shumë se

15. 10 e-mail-e duke shprehur shqetësimet tona në lidhje me këtë çështje.

16. Në të njëjtën kohë ndërmorëm 3 takime me DPSHTRR-në dhe Ministritë.

17. Dërguam 7 Shkresa Zyrtare për t’jua bërë të qartë autoriteteve se rregullorja po dëmtonte aktivitetin e përditshëm të bizneseve në fjalë.

18. Patëm bashkëpunim të menjëhershëm nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës . Kemi marrë 10 përgjigje zyrtare prej tyre.