Transmetuar më 21-01-2017, 09:39

Fier, 21 janar 2017, NOA.al- Protezat ortopedike ofrohen tashmë falas edhe në spitalin e Fierit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte dje në spitalin e Fierit ku u takua me mjekët ortopedë të këtij spitali, teksa u shpreh se tashmë qytetarët nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për t’i blerë vetë protezat me kosto që shkonin deri në 3 milionë lekë, apo të shkonin në spitale jopublike, por mund t’i kryejnë operacionet në spitalin E Fierit duke mos paguar asgjë.

Ministri, bëri të ditur se kjo është një lehtësi jo vetëm për pacientët, por edhe për mjekët, si dhe ndihmon për të patur një marrëdhënie shumë më transparente dhe njerëzore me vetë pacientët.

 “Unë besoj se furnizimi dhe i protezave falas është një lehtësi për qytetarët, për qytetarët e Fierit që jo vetëm që nuk duhet të paguajnë apo nuk duhet të marrin rrugën për të shkuar në Tiranë, është një ndihmë edhe për mjekët që arrijnë të bëjnë shërbimin e plotë, të mund të bëjnë këtu edhe operacione komplekse që të shprehin më të mirën e tyre, por unë besoj se na ndihmon shumë edhe për të patur një marrëdhënie shumë më transparente dhe shumë më njerëzore edhe me vetë pacientët sepse mungesat që ne kemi në sistem për fat të keq vijnë si barrë dhe i faturohen vetëm mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë vizitoi edhe një prej pacienteve, e cila vuante prej vitesh por për shkak të mungesës financiare nuk kishte mundur ta bënte ndërhyrjen. 46-vjeçarja e kaloi me sukses operacionin dhe tashmë ka nisur fazën e rikuperimit.