Transmetuar më 20-01-2017, 19:24

Në vijim të axhendës së takimeve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, z. Ed Royce. Pasi e falënderoi për ftesën, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta e uroi z. Ed Royce për rizgjedhjen e tij.

Gjithashtu Meta në takim theksoi rëndësinë e një partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke nënvizuar se: “Shqipëria është e vendosur për të forcuar edhe më tej partneritetin e saj me SHBA-të. Shqipëria është dhe do të jetë aleate e vendosur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja amerikane në Ballkan është jetike për stabilitet dhe siguri”.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, z. Ed Royce ndau bindjen e përbashkët me z. Meta se aleanca solide SHBA-Shqipëri duhet forcuar më tej në përballje të sfidave të përbashkëta globale e rajonale./b.l/noa.al/