Transmetuar më 20-01-2017, 16:09

Partia Demokratike, nëpërmjet Enkelejd Alibeajt ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bërë presion ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sipas Alibeajt, kryesia e Akademisë nën presionin e Edi Ramës, pa bërë asnjë mbledhje apo konsultë me akademikët, ka propozuar kandidaturat, dhe ka kërkuar konfirmim ‎me email për emrat, duke cenuar haptazi fshehtësinë e votës.

“Edi Rama ka kryer një tjetër hap drejt kapjes së institucioneve të drejtësisë, duke tentuar të emërojë njerëzit e tij, edhe përmes presionit ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademia e Shkencave ka të drejtën të zgjedhë dy anëtarë në Komisionin Ad Hoc, që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për anëtare të KLGJ dhe KLP.

Kryesia e Akademisë nën presionin e Ramës, pa bërë asnjë mbledhje apo konsultë me akademikët, ka propozuar kandidaturat, dhe ka kërkuar konfirmim ‎me email për emrat, duke cenuar haptazi fshehtësinë e votës. Kjo procedurë është kundërshtuar nga pjesa dërrmuese e akademikëve, të cilët e kanë konsideruar procesin të kontrolluar dhe jodemokratik. Këto kandidatura të Edi Ramës, falë integritetit të akademikëve janë rrëzuar”, u shpreh ai.

Më tej në deklaroëtën e tij, Alibeaj theksoi se rezistenca e akademikeve e ndali Edi Ramën në revanshin për të kontrolluar strukturën e krijuar prej tij me ligj, për të kapur procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP.

“Vetë ekzistenca e kësaj strukture është e papranueshme e bërë enkas nga Edi Rama për të kapur drejtësinë. Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë në Gjykatën Kushtetuese dhe ne shpresojmë që kjo çështje të trajtohet sa më shpejt dhe në shërbim të drejtësisë së pavarur, e jo drejtësisë së kapur nga Edi Rama”, tha Alibeaj./b.l/noa.al/