Transmetuar më 20-01-2017, 12:43

Ekipet e shpëtimit janë vënë në garë me kohën duke gërmuar pa u ndalur mes borës dhe rrënojave të hotelit Rogopiano në Pescarese, i gllabëruar nga një ortek pas tërmeteve që përfshinë Italinë Qendrore.

Në ndërtesë gjendeshin rreth 35 persona. Gjashtë prej tyre janë gjetur të gjallë nga grupet e shpëtimit, ndërsa fatkeqësisht deri më tani janë rekuperuar 4 trupa. Rreth 25 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe pavarësisht se shpresat për gjetjen e tyre të gjallë po zbehen nga ora në orë, autoritet nuk heqin dorë nga kërkimet intensive. 

Orteku goditi hotelin me 43 dhoma pranë malit Gran Sasso të mërkurën pas lëkundjeve të shumta të tokës në rajon.  Dy persona që gjendeshin jashtë strukturës në atë moment, i mbijetuan tragjedisë.

Siç mësohet, tragjedia ka ndodhur ndërsa personat që gjendeshin në hotelin me 4 yje në zonën turisitike, ishin mbledhur në katin e poshtëm të tij për të pritur evakuimin pas tërmeteve. 22 vizitorë dhe 7 pjesëtarë të stafit ishin regjistruar në hotel, mes tyre edhe fëmijë, por autoritetet flasin për 35 vetë.

Orteku vërshoi mes orës 16 e 30 dhe 17 e 40 sipas mesazheve dhe telefonatave të bëra nga njerëzit atje, duke rrëzuar pjesërisht çatinë e duke zhvendosur godinën 10 metra larg themeleve të saj./b.l/noa.al/