Transmetuar më 20-01-2017, 11:50

Washington, 20 janar 2017, NOA.al- Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në një takim nga kryetari i Komisionit për Agrikulturën të Senatit Amerikan, Senatori Pat Roberts.

Gjatë këtij takimit, Roberts vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë duke nënvizuar se prezenca e kryeparlamentarit në SHBA kontribuon në ruajtjen dhe rritjen e këtyre marrëdhënieve.

Ndër të tjera, në këtë takim Roberts tha se, “Është një privilegj që ju kemi sot këtu në një moment kaq të veçantë. Faleminderit që jeni pjesë e këtij eventi. Jeni shumë i mirëpritur. Ne besojmë se në të ardhmen bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të jetë edhe më i ngushtë”.

Kryetari i Kuvendit, e falënderoi senatorin Roberts për pritjen e tij duke nënvizuar se Shqipëria mbështetet fuqimisht tek bashkëpunimi i ngushtë me SHBA.

“Ju falënderoj që më ftuat këtu dhe ne mbështetemi tek Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e marrëdhënieve tona. Ne besojmë se marrëdhëniet tona do të jenë edhe më të forta dhe do të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë në shumë fusha, edhe në atë të agrikulturës”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit ndodhet në SHBA, për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri të SHBA, Donald Trump.