Transmetuar më 19-01-2017, 21:23

Të paktën tre deputetë të Parlamentit, dy nga mazhoranca dhe një nga opozita, janë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nën dyshimet se kanë të kaluar kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Po ashtu, një kryebashkiak i cili i përket të zgjedhurve të mazhorancës së majtë, konkretisht Partisë Socialiste, është nën hetim për krime të kryera në Shqipëri.

Këto hetime po kryhen në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin e institucioneve të larta shtetërore, ndaj një numër zyrtarësh po kalojnë nën “sitën” e Prokurorisë së Përgjithshme për verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre. 

NOA mëson nga burime të besueshme në PP, se organi qendror i akuzës në bashkërendim me disa prokurori në rrethe, ka mbledhur informacione që krijojnë dyshimin e bazuar se këta zyrtarë kanë konsumuar vepra penale jashtë Shqipërisë dhe për ta ka procedime penale, masa të ndryshme arresti si dhe vendime gjykate me dënime të ndryshme, përfshirë burgimin dhe masat e tjera alternative jashtë qelive.

Po ashtu, hetimi ka përfshirë dhe zyrtarë, deputetë dhe një kryebashkiak, për krime të kryera në vite në Shqipëri.

Burimet bëjnë të ditur se kohët e fundit, veç hetimit me iniciativë nga prokurorët e PP dhe degëve të saj në vend, është duke u hetuar edhe mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të ngritura nga denoncime në rrugë të ndryshme.

Ka një fluks qytetarësh që duke u përpjekur të mbeten anonimë, denoncojnë me informacione që ata thonë se kanë, për zyrtarë të caktuar, kryesisht deputetë dhe ish-deputetë, kryetarë bashkie si dhe ministra dhe ish ministra.

Vetëm një pjesë e “spiunimeve” janë duke u hetuar, duke bërë klasifikim të tyre se kush është më i besueshëm dhe kush jo.

Hetimet vijnë pak ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme arriti të bindë KQZ që të shkarkojë nga detyra dy deputetët, Selami dhe sërish nga PDIU, Dashamir Tahiri si dhe kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi, për përfshirje në krime jashtë Shqipërisë. /noa.al/