Transmetuar më 19-01-2017, 20:49

Timoty Less i përgjigjet Jasmin Mujanovicit në lidhje me artikullin e tij në BalkanInsight.com me titull “Ndarje të reja, gjëja e fundit që i duhet Ballkanit" (Shkrimi gjendet në fund)

Kur mendon ta formulosh një politikë, pikënisja duhet të jetë njohja e botës ashtu siç është, jo ashu sic do të dëshiroje të ishte.

Në Ballkan realiteti politik fatkeqësisht është shumë larg nga një “multikulturalizëm i gjallë dhe organik”, të cilin Jasmin Mujanovic na e jep. Përkundrazi. Ky është rajoni më jo-stabël në Evropë, ku shtetet e ndara multi-etnike i nënshtrohen një gjendje të konfliktit të ngrirë, gjë që kërkon prezencën e mijëra paqeruajtësve ndërkombëtar në terren për ta parandaluar rrëshqitjen drejt dhunës. 

Shkaktarët e kësaj gjendjeje janë analizuar në gjerësi, por një magmë e kompleksitetit përbashkohet në dy pika bazike. E para është se minoritetet nuk duan të jenë pjesë e shtetit të tjetrit nëse kjo do të thotë të jetosh si një qytetar i rendit të dytë, pa siguri adekuate, pa të drejta dhe mundësi. Dhe e dyta është se popullsitë shumicë nuk dëshirojnë që minoritetet të ikin së bashku me tokën ku ata jetojnë, sepse e konsiderojnë si të veten. Kudo që këto objektiva kontradiktore përplasen, rezultati është tensionim dhe jo-funksionalitet. 

Për dy dekadat e fundit, minoritetet kanë pasur pak zgjedhje nga pranimi i vendit të tyrre në shtetin e adaptuar nën insistimin e një Perëndimi hegjemonist, i cili ka vënë veto ndaj çfarëdo ndryshimi në aranzhimin politik që kanë vendosur pas shpërbërjes së Jugosllavisë. E vërteta është se NATO qe pajtuar për garantimin e sigurisë dhe BE për të siguruar prosperitet dhe të drejta, duke supozuar se lokalët do të përmbushin kërkesat për tu anëtarësuar në këto organizata.   

Sido që të jetë, ky kapitull i historisë së Ballkanit po vjen drejt fundit, pa ndonjë zgjidhje. Me thellimin e krizës në BE, evropianët kanë humbur fokusin, autoritetin dhe ndikimin e tyre në rajon – premtimin për integrime evropiane. Në ndërkohë, amerikanët kanë çështje më të rëndësishme në pjatë. Në hapësirën e lënë bosh nga Perëndimi, Rusia dhe Turqia po vendosin prezencën e tyre duke zbatuar agjendat e interesave vetjake. 

Jo befasueshëm, komunitetet e pakënaqura kanë filluar të shfrytëzojnë ndryshimin gjeopolitik për të avancuar ndarjen, të cilën ata e kanë parë gjithmonë si të vetmin garancion për sigurinë dhe të drejtat e tyre. 

Shtatorin e fundit, serbët e Bosnjes kanë sfiduar direkt aranzhimet e Deytonit në një referendum të përkrahur nga Rusia, e që nuk kishte asnjë rezistencë nga Perëndimi. Tashti, lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, po kërcënon me një referendum tjetër këtë vit, sipas gjasave mbi autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes. Nëse gjërat shkojnë kështu, Republika Srpska diku nga fillimi i dekadës tjetër do të shkëpusë të gjitha lidhjet me Bosnjen. 

Komunitete tjera të pakënaqura po bëjnë lëvizje të ngjashme për ta distancuar veten nga qendrat politike të shteteve ku jetojnë. Serbët e Kosovës po kërcënojnë me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe muajin e ardhshëm pa autorizim nga Parlamenti i Kosovës. Kroatët e Bosnjes po ngrejnë kërkesat për një entitet të tretë në vend. Shqiptarët e Maqedonisë po refuzojnë të marrin pjesë në qeveri përveç nëse ajo pranon një zgjidhje të re. Tashmë ekziston një rrezik i thyerjes së aranzhimeve aktuale të ndarjes së pushtetit, të cilat deri tashti kanë mbajtur këto shtete si një. 

Këto nuk janë gjëra të politikës së krahëve radikal. Këto gjëra po barten nga politikanë dominant që përfaqësojnë dhe veprojnë në emër të zgjedhësve, të cilët kanë për qëllim të jetojnë në kushtet e dinjitetit dhe sigurisë. 

Pas periudhave të ngecjeve, është bërë e qartë se gjërat po ndryshojnë rrënjësisht, duke rrezikuar stabilitetin edhe ashtu të paqëndrueshëm. Popullsitë shumicë në shtetet shumë-etnike po përballojnë humbjen e kontrollit ndaj territorit me të cilin kanë lidhje emocionale, dhe nga të cilat, në ndonjë rast, janë spastruar etnikisht. Në skenarin më të keq, ata mund të rezistojnë dhunshëm lëvizjet për ndarje.  

Pra, çfarë duhet bërë? 

E para është që t’i përballosh njerëzit me realitetin, dhe atë posaçërisht ata që janë të përkushtuar për qetësi në rajon. Prandaj kam shkruar një artikull goditës në Foreign Affairs. Duke qenë se rrezikohet një thyerje e sigurisë në rajon, është vitale që të fillojë një debat adekuat për të ardhmen e Ballkanit, edhe në nivelin lokal edhe në atë ndërkombëtar, debat që kalon përtej politikave të paralizuara të integrimeve evropiane. Pas kësaj, detyra është që të shihen opsionet dhe ekzistojnë katër të tilla. 

E para është që të vazhdohet kështu, me atë që Jasmin Mujanović e përshkruan si “një reformë dhe demokratizim genuin të batuar nga baza”. 

Në të parë, kjo është një objektivë dashamirëse, sepse reforma dhe demokracia janë padyshim gjëra të mira. Megjithatë dhe fatkeqësisht, janë dy gjëra fundamentale që e bëjnë ktë qasje të gabueshme. E para është se, pas 20 vitesh përpjekjeje, shtet-ndërtimi deri tashti ka krijuar vetëm dështime pa ndonjë rezultat të prekshëm. Atmosfera politike në rajon ngelet e helmuar, demokracia po shënon regres dhe grupet e ndryshme etnike janë më të ndara se kurrë më parë. 

Problemi tjetër është se thjesht koha po mbaron. Serbët e Bosnjes, po bëjnë plane konkrete për të braktisur prospektet e përzierjes së tyre  me kroatët e boshnjakët në një shtet. Komuniteti boshnjak për kohën që po parashihet të ndodhë kjo ka mundësitë zero për ta parandaluar. Siç ka thënë edhe vetë Jasmin, kjo është një çështje e fantazisë. 

Një tjetër opcion është që Perëndimi t’iu ofrojë komuniteteve të pakënaqura ndonjë insentiv për të vazhduar jetën në status-quo. Për shumë arsye kjo do të ishe një zgjidhje e mirë sepse do të neutralizonte kërcënimin e seperatizmit në mënyrë paqësore. 

Sërish, ekziston një problem bazik në këtë qasje. Me një hendek në integrimet evropiane, Perëndimi nuk mund të ofrojë dicka për minoritetet e cënueshme që do t’u kompensonte mungesën e sigurisë dhe të drejtave politike. 

Një opsion i tretë, është që të detyrohen minoritetet të pranojnë status quo-në me kërcënimin e sanksioneve apo ndonjë lloji tjetër të dënimit nëse ata bëjnë ndonjë lëvizje drejt ndarjes. Sido që të jetë, siç ka treguar situata pas referendumit në Repubika Srpska, nuk ka ndonjë konsensus ndërkombëtar për të sanksionuar seperatistët që me aksionet e tyre mund të jenë destruktivë, por janë paqësorë dhe nuk kërcënojnë direkt Perëndimin. 

Në ndërkohë, nuk do as përmendur se grupet shumicë nuk duhet lejuar që të shtypin me dhunë minoritetet refuzuese. Kjo do të niste një rezultat që të gjithë po provojnë ta shmangin. 

Kjo na lë një opsion të katërt dhe final. Nëse minoritetet e pakënaqura nuk mund të bëhen që të pranojnë status quo-në dhe janë të gatshëm, nëse është e nevojshme, të vendosin vetë për ndarje, atëherë interesi i paqes kërkon që komunitetet shumicë ta pranojnë këtë si një zgjidhje të re territoriale. 

Në këtë pikë, pyetja më e rëndësishme është se sa larg dhe sa thellë kjo do të duhej të zbatohej. Ideale do të ishte sikur komunitetet shumicë do të merreshin vesh me minoritetet për një formë të revolucionit, që do të siguronte ruajtjen e shtetit dhe do të përmbushte kërkesat kryesore të minoritetit. Nëse kjo mund të ndodhë, kështu do të mbaronte tërë çështja. 

Sido që të jetë, eksperienca na tregon se nuk mund të ketë sukses çfarëdo iniciative pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Në fillim të 1990, Sllovenët, Kroatët dhe Boshnjakët u ndjen të detyruar të deklarojnë pavarësinë nga Jugosllavia. Kosova nuk pranoi një autonomi maksimale nën Serbi pas 1999. Dhe serbët e Bosnjes refuzojnë edhe autonominë e thellë që kanë sot. 

Në secilin rast arsyeja është e njejt: Ballkani nuk i ka elementet më thelbësore të nevojshme për një shumë-etnicitet funksional, përvec në kushte të një regjimi autoritar. Një traditë e varfër e liberalizmit konstitucional do të thotë që minoritetet kanë mungesë konfidence në institucionet e përbashkëta. Një histori e dhunës dhe krimeve ka shkatërruar besimin mes grupeve të ndryshme nacionale. Korrupsioni endemik e varfëria e gjerë kontribuojnë në mbajtjen e njerëzve në skaj të greminës. 

Prandaj, kam arritur konkluzionin se zgjidhja optimale për krizën strukturore të sigurisë në rajon është tranzicioni në shtete etnike, të bazuara në principin se kufijtë politikë do duhej aq sa është e mundur të pajtoheshin me realitetin demografik në terren. 

Shteti-kom ka dy virtyte. Përbrenda, do të thotë se shumica e popullsisë i takon një komuniteti politik në të cilin ata mund të kenë të drejta dhe mundësi pa ndonjë frikë për diskriminim etnik Kurse, përsa i përket në arenën ndërkombëtare, shtetit komb mund t’iu ofrojnë grupeve të diskriminuara një jetë në një siguri përtej një kufiri të njohur në arenën ndërkombëtare. 

Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë, ose Serbisë e Shqipërisë, apo edhe Shqipërisë e Greqisë janë larg nga të qenit të përkryera, por ato janë funksionale sepse, përveç ndonjë rasti të parëndësishëm rreth kufijve, asnjëra nga to nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj një shteti tjetër. 

Kjo bie në kontrast me shtetet shumë-etnike si Bosnia, Maqedonia apo Kosova, ku territori ku jeton minoriteti në të njëjtën kohë është i pretenduar nga komuniteti shumicë. Në skenarin e parë, ka paqe. Në të dytin, çështjet e pazgjidhura të pronësisë mbi territorin përmbajnë brenda një rrezik për konflikt.  

Në asnjë moment unë nuk po sugjeroj që shtetet e reja komb duhet të jenë etnikisht të pastra. Nëse boshnjakët kanë vendosur që për arsye historike të jetojnë në Republika Srpska, apo nëse maqedonët vendosin të jetojnë në pjesën e dominuar nga Shqiptarët, ata do duhej të inkurajoheshin për një gjë të tillë. 

Kjo nuk është një objektivë e pamundur. Shumica e shteteve në rajon kanë treguar vullnet për të akomoduar një numër të vogël të minoritarëve për arsyen e thjeshtë se ata nuk kërcënojnë integritetin territorial apo identitetin e shtetit. 

Është tërësisht një propozim tjetër në raport me situatën që ekziston në Bosnje, Maqedoni e Kosovë, ku minoritete të mëdha të pakënaqura jetojnë në territore kompakte që janë pjesë e shteteve të kontrolluara nga një shumicë tjetër, dhe në vazhdimësi bëjnë kërkesa që mllefosin dhe tensionojnë komunitetin shumicë në këto vende. 

Timoti Less më tutje ka shtruar sfidat që do të mund të përballoheshin në këtë angazhim për një ri-draftim të hartës së rajonit, të cilat sfida janë të përshkruara në një artikull tjetër të botuar tek ndryshe.net. 

Projektit Euro-Atlantik po i vjen fundi në Ballkan

Nga Jasmin Mujanovic Teksa Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika tërhiqen nga rajoni, aftësia e Europës për “fuqi të butë” me qëllimin e nxitjes së Ballkanit drejt demokracisë liberale po shkon gjithnjë e më shumë drejt rënies, gjë që e bën destabilitetin më të mundshëm.

Pavarësisht diplomacisë europiane, marrëveshja post-Jugosllave në Ballkanin Perëndimor ka qenë kryesisht rezultat i garancive të sigurisë të dhëna në rajon nga tre shtete: SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania. Më 20 janar 2017, dy nga këta tre garantues do të zhduken një herë e mirë nga skena e politikës rajonale në çdo kuptim të fjalës. Një Mbretëri e Bashkuar post-Brexit dhe një SHBA e drejtuar nga Donald Trump nuk do të jenë më faktorë në politikën e Ballkanit Perëndimor. Nuk do të ketë asnjë lajmërim zyrtar për këtë dhe ndihma amerikane dhe britanike e llojeve të ndryshme do të vazhdojë të rrjedhë. Por do të jetë më pak e rëndësishme dhe do të marrë formën e masave të përkohshme dhe sa për foto. Nuk do të lidhet me adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve strukturore në politikën rajonale. Largimi britanik dhe amerikan nga Ballkani do ta lërë Gjermaninë në një pozicion delikat. Berlini është tashmë në presion të madh si i vetmi vend liberal-demokratik i fuqishëm në një det të populistëve reaksionarë. Vizualisht vetëm, Gjermania mban bashkë projektin europian përballë paqëndrueshmërisë financiare që zien në Greqi, Itali, Spanjë dhe Portugali dhe përkundrejt pushtetit rus që po rigjallërohet. Kancelarja Gjermane Angela Merkel prej kohësh i ka kërkuar britanikëve dhe amerikanëve të luajnë një rol më konstruktiv në Europë dhe të ndajnë barrën. Për tetë vitet e fundit, përgjigjja e tyre ka qenë shpesh e heshtur, por jo më pak e pranishme, siç ka provuar e ashtuquajtura Iniciativa Britaniko-Gjermane që shpëtoi së fundmi perspektivën europiane të Bosnje-Hercegovinës. Përgjigjja tani, megjithatë, nuk do të jetë heshtja. Në vend të kësaj, do të jetë britma kaotike dhe alarmante e krizave kushtetuese që mundojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Rrugën Douning që tani.

Liderët ballkanas nuk janë të painformuar për këto zhvillime dhe tashmë po kërkojnë për mirëbërës të rinj. Nikola Gruevski i Maqedonisë, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Milorad Dodik i Bosnjës po shohin gjithnjë e më shumë nga Moska për urdhra marshimi, ndihmë financiare dhe justifikim ideologjik për transformimet e tyre autoritare.

Të tjerë, si lideri boshnjak në Bosnje, Bakir Izetbegoviç shohin nga Ankaraja dhe shtetet e Gjirit, por kryesisht për të njëjtat arsye. Dhe në tërësi, establishmenti politik në Ballkan joshet shumë nga penetrimi gjithnjë e më i madh kinez. Elitat në ish-Jugosllavi janë të dëshpëruara për para të reja për të mbajtur regjimet e tyre të falimentuara ekonomikisht dhe politikisht ende në këmbë. Iniciativa kineze “16+1” është një litar shpëtimi për to dhe është veçanërisht rastësi që paratë kineze dhe infrastruktura të vijnë pa kushte.

Thuajse e njëjta gjë mund të thuhet për ofertat ruse dhe turke; pa nevojë për “kushte”, reformë apo demokraci.

Mes këtij rikonstruksioni, Brukseli është një jo-entitet. Nuk është thjesht sepse  BE-ja rrallë flet me një zë të vetëm. Në vend të kësaj, humbja e rëndësisë së BE-së në Ballkanin Perëndimor është kryesisht rezultat i shpërfilljes së saj me dashje.

Të marrim “Progres Raportet” e fundit ku Brukseli vlerëson përparimet e bëra drejt kritereve kyçe të integrimit mes shteteve në rajon që kërkojnë të anëtarësohen. Në një vit që pa sulmin më të dukshëm të rendit kushtetues të Dejtonit në Bosnje që kur marrëveshja e paqes hyri në fuqi në 1996, Progres Raporti e përmend referendumin në entitetin serb, Republika Srpska vetëm në një fjali. Kjo nuk është thjesht një shpërfillje, por një tregues se përparësitë e BE-së në Ballkan nuk janë më demokratizimi, reformat socio-ekonomike apo politike. Brukseli është i shqetësuar vetëm për pamjen e jashtme dhe dukjen banale të stabilitetit. Përfaqësuesit e BE-së në Sarajevë, Shkup dhe Beograd flasin në terma të asaj që duhet të jetë, por shpërfillin çfarë po ndodh në terren dhe se si situata politike në rajon tashmë ka ndryshuar. Autoritarizmi i regjimit të Gruevskit në Maqedoni nuk u shfaq brenda natës dhe po kështu as obstruksionizmi i rrezikshëm i Dodik në Republikën Srpska. Këto janë fuqizuar nga shpërfillja diplomatike, në mos paaftësia dhe nga kreditë financiare në dukje më pak të kushtëzuara. Tani që BE-ja gjendet edhe vetë përballë shtimit kancerogjen të populizmit të ekstremit të djathtë, liderët europianë si Sebastian Kurz i Austrisë udhëtojnë në rajon jo për të ngritur lart pishtarin e liberalizmit, por për të kërkuar solidaritet me despotët provincialë që janë aty për të mbajtur masat e dëshpëruara të refugjatëve në breg. Nëse ideja e demokracisë është të kemi një të ardhme në Ballkan, kjo do të varet nga aftësia e qytetarëve të thjeshtë, si ata që dalin rregullisht rrugëve të Shkupit për t’u përballur dhe kur është e nevojshme për të hequr liderët që nuk japin llogari. Për mirë ose keq, askush tjetër nuk do ta bëjë, kjo është e qartë. Nëse qeveria për njerëzit dhe nga njerëzit do të kenë sukses në Ballkanin Perëndimor, në fjalë të tjera, kjo do të varet vetëm nga shoqëria civile për t’u bërë realitet. Por një paralajmërim përfundimtar, veçanërisht për ata në Uashington dhe Bruksel që besojnë se “edhe kjo duhet kaluar”. Të gjitha mundësitë janë kthyer tashmë në tryezë për sa i takon elitave politike. Infrastruktura për luftën, në kuptimin e gjerë dhe formal të fjalës, mund të mos ekzistojë, por destabilitet i madh në katër vitet e ardhshme është thuajse i sigurt.

Qeveria e Dodik ka lajmëruar tashmë një referendum për ndarje në 2018. Administrata e tij ka marrë guxim nga përgjigjja e paaftë e komunitetit ndërkombëtar për referendumin e tij të fundit, ndaj ekziston çdo arsye për të besuar se ajo që do të vijë është një kërcënim i mundshëm.

Asnjë nuk duhet të besojë se Bosnje-Hercegovina duhet të shpërbëhet paqësisht. Dhe, e njëjta gjë vlen për Ballkanin. Strukturalisht megjithatë, fundi potencial i supremacisë Euro-Atlantike në rajon nënkupton që Ballkani do të rindërtohet sipas lidhjeve autoritare në konkurrencë. Siç e dëshmon edhe grindja e vazhdueshme diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë, një zhvillim i tillë nuk do të garantojë asnjë stabilitet, por përkundrazi të bën të mendosh për një konflikt të çfarëdo lloji, herët ose vonë.

Rreth autorit Dr. Jasmin Mujanovic është një studiues politik i specializuar në politikën e Europës juglindore dhe në politikën e demokratizimit post-autoritar dhe post-konflikt më gjerësisht. Libri i tij i parë, “Uri dhe Zemërim: Kriza e Demokracisë në Ballkan” do të publikohet në vitin 2017.