Transmetuar më 19-01-2017, 20:35

Kryetarët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, kanë zhvilluar sot takimin e tyre të parë, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Nga komunikatat e lëshuara prej selive të dy partive nuk jepen shumë hollësi, ndërsa paralajmërohet se takime të tilla pritet të mbahen edhe në të ardhmen.

Takimi Ahmeti-Zaev vjen dy ditë pasi u zhvillua një tjetër takim të mërkurën midis Nikolla Gruevskit (VMRO-DPMNE) dhe Ali Ahmetit (BDI), ku po ashtu nuk u dhanë hollësi të bisedimeve.

Gruevski është mandatuar për formimin e qeverisë së Maqedonisë, pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor, të cilat partia e tij VMRO-DPMNE, i fitoi me një rezultat të ngushtë. Ai ka afat deri më 29 janar për formimin e kabinetit qeveritar.

Por, VMRO-ja nuk e ka të lehtë ta formojë qeverinë, sidomos pas kushteve të paraqitura nga partitë shqiptare. Këto të fundit kërkojnë statusin shtet-formues të shqiptarëve dhe zyrtarizimin në të gjitha nivelet të gjuhës shqipe.

Nëse ndonjëra nga partitë maqedonase shprehet e gatshme për të hapur debate mbi këto çështje, kjo do t’i hapte rrugën përfshirjes së partive shqiptare në qeverinë e re të Maqedonisë.

VMRO-ja ka bërë të ditur para pak ditësh se nuk e pranon platformën e partive shqiptare dhe nuk ngul këmbë që me çdo kusht të formojë qeveri.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate, e cila mori 49 vende ligjvënësish, nuk është prononcuar në lidhje me kërkesat, që nga paraqitja e deklaratës së partive shqiptare.

Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët duket se më me dëshirë do të hynin në koalicion me Lidhjen Social Demokrate.

Për formimin e qeverisë së Maqedonisë nevojiten votat e 61 deputetëve, nga 120 që ka parlamenti i vendit. Por, kërkesat shqiptare imponojnë ndryshime kushtetuese për çka duhen dy të tretat e votave të ligjvënësve që, në bazë të rrethanave aktuale politike, nuk arrihen dot.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare, si rezultat i skandalit të përgjimeve.

Por, kriza nuk duket se po zbutet dhe ekspertët vendas parashikojnë zgjedhje të parakohshme, që mund të mbahen në verë.