Transmetuar më 19-01-2017, 20:12

Në dëshminë e dhënë në komisionin hetimor të opozitës për çështjen CEZ, ish avokatja e shtetit Ledina Mandia tha sot se thelbi i konfliktit ishin ndërprerja e energjisë dhe moskryerja e investimeve.

Ndërkohë sipas saj, për t’u larguar pa arbitrazh çekët pretendonin 300 milionë euro.

“Kompania CEZ ka pretenduar 300 milionë euro për ta mbyllur biznesin e tyre dhe për të dalë nga Shqipëria. Dhe me paralajmërimin që nëse çështja të shkonte në arbitrazh, do të merrte 500 milionë euro”.

Ish-Avokatja e Shtetit pretendoi se ka vënë në dijeni ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, se pala çeke gjatë negociatave ka kërkuar që shteti shqiptar të mos përfshihet me çështjen DIA.

“Pala çeke ka pranuar por nuk ka dashur që këtë konflikt ta adresojë si një konflikt mes CEZ Shpërndarje dhe Shqipërisë, por të zgjidhej në rrugë gjyqësore shqiptare”

Por në një letër, të vënë në dispozicion të medias nga Ministria e Energjetikës, të hartuar nga Mandia, nuk përmendet çështja DIA, raporton RTSH.

Në letër, shkruhet vetëm mbi mosmarrëveshjet mes kompanisë dhe shtetit shqiptar, të cilat janë në shqyrtim në fazën e juridiksionit administrativ apo gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.