Transmetuar më 19-01-2017, 19:30

Për herë të parë Shqipëria ka ngritur Këshillin Këshillimor të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, e cila detyron qeverinë qendrore të konsultojë me përfaqësuesit e pushtetit vendor të gjitha nismat qeveritare, duke nisur nga projektligjet, VKM-të, strategjitë apo dokumentet e politikave që ndikojnë në funksionimin e qeverisjes vendore.

I pranishëm në mbledhjen e konstituimit të këtij Këshilli ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe Kryetar i Shoqatës për Autonominë Vendore. Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi ndarjen administrative territoriale, e cila rriti mundësinë e njësive vendore për të performuar më mirë. Veliaj vlerësoi ngritjen e këtij Këshilli Konsultativ, ndërsa theksoi se shoqatat e njësive vendore duhet që të bashkohen për të punuar për interesat e qytetarëve.

“Jam krenar që drejtoj shoqatën e bashkive që ka 75% të kryetarëve të bashkive, por gjithmonë kam këmbëngulur që shoqatat të bashkohen, të jemi të gjithë bashkë. Ndaj, më vjen mirë që një hap i parë është hedhur sot dhe pavarësisht se përfaqësoj shumicën e bashkive të Shqipërisë, më vjen mirë që në fakt prezantimi në tryezën e këshillit këshillimor e kemi të barabartë.

Kjo është një mundësi fantastike kur vjen puna tek interesi publik i qytetarëve tanë, ku pastrimi i qytetit nuk njeh të majtë e të djathtë, as pusetat nuk njohin të majtë e të djathtë, po kështu ndriçimi, ngrohja në kopshte, çerdhe e shkolla”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te financat vendore, Veliaj kërkoi më shumë kompetenca për njësitë vendore. “Teksa futemi për të diskutuar një ligj shumë të rëndësishëm, si ligji i financave vendore, kaluam nga një situatë ku në bashki kishim rreth 13 procese kryesore, sot thuajse kemi trefishin, në mbi 30 kompetenca të tilla. Shqetësimi im ka qenë: do delegojmë dhe do decentralizojmë vetëm problemet apo edhe zgjidhjet? Do të doja në fakt që kjo të ishte diçka që merret parasysh edhe në projektligjin që do të fillojmë të diskutojmë për financat vendore”, tha Veliaj.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Cuçi, e cilësoi këtë Këshill një element kyç të reformimit të qeverisjes vendore dhe vendosjes së një klime bashkëpunimi real midis këtyre dy pushteteve në Shqipëri. Duke u ndaluar te ngritja e Këshillit Këshillimor të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjes Vendore, Çuçi nënvizoi  se “sot ne arrijmë që të ngremë një urë të re komunikimi midis nesh, një “agorë” të re ku të ballafaqojmë në mënyrë të civilizuar, konstruktive dhe të strukturuar idetë tona, politikat dhe objektivat, si dhe çdo çështje tjetër me interes për ecurinë dhe progresin e qeverisjes vendore, pavarësisht kampeve ku militojmë apo qëndrimeve të ndryshme”./b.l/noa.al/