Transmetuar më 19-01-2017, 13:11

Tiranë, 19 janar 2017, NOA.al- Bashkia e Tiranës nis investimin për ndriçimin rrugës dhe urbanizimin e segmentit te mbikalimi i Kamzës

Punimet që po kryhen në këtë arterie u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi faktin se një tjetër hyrje e kryeqytetit do të merrte një pamje dinjitoze.

 “Jam shumë entuziast sepse po fillojmë një projekt të ri, është hyrja veriore e Tiranës. Për këtë vit kemi planifikuar dy hyrje të tjera, hyrja nga Kamza dhe hyrja nga Kombinati. Sot fillojmë punën e hyrjes nga veriu, që është hyrja nga Kamza, besoj që jo vetëm është një hyrje dinjitoze për Tiranën, por është ndoshta kontrasti më i madh sesi menaxhohet Tirana dhe si menaxhohet Kamza”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se projekti synon veç ndriçimit dhe barrierave mbrojtëse të rrugës, edhe urbanizimin e zonës.

Kryebashkiaku bëri me dije se zona do të ketë 115 shtylla, 210 ndriçues, 3 km urbanizim me sinjalistikë, me kanale të ujërave të zeza, me infrastrukturën e nevojshme për këmbësorët, do të kthejmë disa ishuj si ky ku jemi, në mini-parqe të vogla për komunitetin, për të moshuarit që duan të pushojnë apo fëmijët që duan të luajnë dhe unë besoj që deri në 18 qershor, por dhe përtej, do tregojmë siç kemi treguar këtë vit, që vetëm puna dhe jo fjalët janë ato që na çojnë përpara.

“Ndaj, i them të gjithë kolegëve forca, me shumë energji të reja për të bërë Tiranën e ëndrrave tona çdo ditë nga pak”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë tha se ky projekt tregon edhe një herë se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim në investimet që bën nëse një zonë apo njësi është e djathtë apo e majtë.

“Investimi do të kontribuojë që të kemi një zonë totalisht të urbanizuar, një zonë që është trajtuar si një zonë e dorës së dytë, edhe pse Lapraka është mbajtur si bastion i të djathtës ka pasur investimet më të ulëta. Nuk është bastion i të majtës, por ka investimet më të mëdha. Do të thotë që kemi një frymë të re në Bashkinë e Tiranës, që nuk i ndajmë njerëzit në të nënës dhe të njerkës, por i përgjigjemi njerëzve për arsyen e vetme se janë kryeqytetas të Tiranës dhe duhen të trajtohen me dinjitetin e një kryeqyteti”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj bëri të ditur gjithashtu se pavarësisht sulmeve politike ndaj bashkisë, përgjigja më e mirë ndaj tyre do të jetë pikërisht puna.

 “Unë e di që jemi në prag të fushatës dhe Bashkia e Tiranës është bërë sot epiqendra e gjithë goditjeve nën brez, goditjeve politike, shpifjeve dhe rrenave, por në fund të ditës, kur mbarojnë të gjithë llafet, ngelet vetëm puna. Unë besoj që për këdo, të krahasojë dy modelet, modelin e punës dhe modelin e gjumit nuk ka as nevojë të kujtohet sesi ishte Tirana një vit më përpara, kur flihej gjumë”, deklaroi Veliaj.

Segmenti Casa Italia-Institut Bujqësor është dalja veriore e Tiranës dhe një nga segmentet që ndanë Tiranën me Bashkinë Kamzës. Gjatësia e segmentit është rreth 2.2 km, me trafik ndarës dhe dy korsi për krah.

Investimi i ri i Bashkisë Tirane konsiston në vendosjen e rreth 115 shtyllave të ndriçimit rrugor, plotësimin e segmentit me sinjalistikë vertikale dhe vendosje e kangjellave mbrojtëse për këmbësorët në pjesën e rrethrrotullimit dhe rehabilitimi i trotuareve të dëmtuar.