Transmetuar më 19-01-2017, 12:44

Raiffeisen Bank ka mbështetur Forumin e Tregëtisë dhe Investimeve të organizuar në Singapor në 18 janar 2017. Tashmë, Banka Raiffeisen ka krijuar një traditë të vlefshme në mbështetjen që i ofron Forumit Shqiptar për Tregtinë dhe Investimeve. Duke filluar në vitin 2005 ky forum ka patur si synim rritjen e njohurisë së vendeve me potencial investimi mbi tregun tërheqës shqiptar, si një vend me interes për të investuar. Ky forum ka qenë i suksesshëm në vendet që paraqesin potencial për investime, si Britani e Madhe, SHBA, Hong Kong dhe tani Singapor, duke vepruar si një urë ndërmjet bizneseve ndërkombëtare dhe qeverisë shqiptare.

Në këtë kuadër, Forumin Shqiptar i Investimeve dhe Tregtisë në Singapor mblodhi përfaqësues të rëndësishëm të biznesit shqiptar dhe rreth 100 investitorë nga Singapori.

Në këtë forum morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshem i Raiffeisen Bank, z. Christian Canacaris, Guvernatori i Bankës së Shqipërise, z. Gent Sejko, përfaqësues të bizneseve të rëndësishme në Shqipëri si dhe më shumë se 100 investitorë nga Singapori.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Z. Christian Canacaris gjatë prezantimit të tij bëri një përmbledhje të situatës ekonomike në Shqipëri dhe klimës së mirë së të bërit biznes. "Ekonomia shqiptare është rritur gjatë vitit 2016. Zbatimi i reformave ka filluar të japë rezultatet dhe pritet të përmirësojë klimën e biznesit, veçanërisht rritjen e investimeve në sektorët e energjisë dhe turizmit dhe rritjen e punësimit. Shqipëria është një nga destinacionet më tërheqëse për investim në Evropën jug-lindore duke marrë parasysh përfitimet tatimore dhe stimujt për bizneset në sektorët kyç që qeveria shqiptare ofron, si dhe inkurajimi i investimeve të huaja direkte me një kuadër mbështetës legjislativ.

Ndër të tjera, Z. Canacaris tha: “Raiffeisen Bank është prezente në Shqipëri prej 12 vitesh tashmë. Ne kemi mbështetur mijëra projekte të huaja dhe investitore ndërkombëtare. Sot, do ju ftoja te vinit në këtë vend pasi ne duam që Shqipëria të bëhet pikë kyçe e rajonit, ashtu si dhe Singapori është pikë kyçe e Azisë. Raiffeisen do të jetë aty, për të mbështetur dhe përmbushur nevojat tuaja bankare dhe financiare, ndërsa vendi do t’ju ofrojë mundësitë”

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha: “Shqipëria është një vend me potencial të madh dhe ky forum ofron një platformë të shkëlqyer për të diskutuar investimet aktuale dhe të ardhshme në vendin tonë pasi ne, qeveria e Shqipërisë, synojmë të vazhdojmë agjendën e investimeve tona të brendshme duke u angazhuar me bizneset dhe komunitetet e investimeve në Singapor. Shqipëria ka një vizion të qartë të të ardhmes së saj. Politikisht dhe ekonomikisht ne synojmë ta pozicionojmë Shqipërinë si udhëheqës rajonal, me një ekonomi të fortë dhe konkurruese, bazuar në rritje të qëndrueshme”.

Gjithashtu i pranishëm në Forum, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko tha gjatë fjalës së tij se bankat në Shqipëri janë të mirëkapitalizuara dhe me tepricë likuiditeti. “Banka e Shqipërisë si autoritet rregullator ka marrë të gjithë masat e duhura në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë do të ndihmojë rritjen e kredisë në ekonomi gjë e cila do të ndikoje në rritjen e mëtejshme ekonomike”, shtoi me tej Guvernatori Sejko.

Në panel ishin të pranishëm edhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi si dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri të cilët paraqitën potencialin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, turizmit, energjisë dhe industrisë shqiptare.