Transmetuar më 18-01-2017, 18:53

Arjen Robben dëshiron ta shohë sa më gjatë te Bayern shokun e tij të skuadrës, Xabi Alonso. Pavarësisht se “Sport Bild” pretendon se ka zbuluar vendimin e spanjollit për të lënë futbollin, “Tulipani fluturues” sheh ende ditë të mira për 35-vjeçarin.

Kontrata e këtij të fundit në Mynih përfundon në qershorin e ardhshëm dhe duket se nuk do të rinovohet, por Robben, i cili këtë muaj e zgjati me një vit bashkëpunimin e tij me klubin bavarez uron që Alonso të bëjë të njëjtën gjë.

“Mendoj se ende nuk është e qartë. Xabi është dy vjet më i vjetër se unë. Ai duhet të vendosë nëse duhet të vazhdojë apo jo karrierën e tij. Ai ka kaluar një karrierë të jashtëzakonshme dhe ka fituar çdo titull, por vendimin duhet ta marrë me klubin.

Xabi është një profesionist i vërtetë dhe i përshtatet skuadrës sonë. Ai ka ende plot cilësi dhe do të më vinte mirë nëse do të qëndronte edhe për një vit me ne”, u shpreh 32-vjeçari.

Karriera 18-vjeçare e Xabi Alonsos është shumë e pasur. Deri tani, mesfushori ka fituar një Botëror dhe dy Europianë me përfaqësuesen spanjolle. Në rang klubesh, ai ka mundur të fitojë dy Champions League me Liverpoolin dhe Realin e Madridit, një titull kampion të Spanjës, dy tituj të Bundesligës me Bayernin, një Kupë të Spanjës, një “FA Cup”, një “Community Shield” dhe një Kupë të Gjermanisë.

Në të njëjtën kohë, Xabi Alonso ka mundur të fitojë dy Superkupa Europiane, një Superkupë të Spanjës e një Superkupë të Gjermanisë. Llogaritë nuk mbyllen këtu, pasi numri i trofeve të fituar nga Xabi Alonso mund të shtohet në fundin e këtij sezoni./b.l/noa.al/