Transmetuar më 18-01-2017, 18:20
Viktimat e 21 Janarit

Tre ditë para përvjetorit të gjashtë të “21 Janarit”, kur në një demonstratë të opozitës së majtë që precipitoi në dhunë ndaj forcave të rendit dhe vrasjen e katër qytetarëve nga Garda e Republikës, qeveria e kryeministrit Rama ka vendosur të dëmshpërblejë me gjithsej 1.2 milionë USD katër familjet që humbën njerëzit e tyre.

Vendimi i qeverisë erdhi me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, sipas procedurës rutinë të hierarkisë së propozimeve.

Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 160 011 479 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011.

Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, akordohet për Gardën e Republikës së Shqipërisë, për shlyerjen e detyrimeve sipas vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. 

Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Në këtë mënyrë do të jetë Garda e Republikës ajo, që, me paratë e dhëna nga qeveria, do të dëmshpërblejë familjet e katër të vrarëve të “21 Janarit”. 

Në këtë mënyrë, detyrimi financiar që shteti shqiptar ka pranuar për secilin nga katër të vrarët është rreth 300 mijë dollarë amerikanë.

Më 21 janar 2011, katër protestues, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, mbetën të vrarë në demonstratën ku mbështetës të opozitës së atëhershme, të thirrur nga PS dhe Edi Rama.

Atë ditë, disa mijëra demonstrues nga i gjithë vendi u mblodhën para Kryeministrisë dhe disa prej tyre u konfrontuan me forcat policore dhe me Gardën e Republikës për orë të tëra, por gjatë këtyre zhvillimeve, Garda e Republikës hapi zjarr duke u marrë tragjikisht jetën katër qytetarëve. /noa.al/