Transmetuar më 18-01-2017, 14:42

Tiranë, 18 janar 2017, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, uron Presidentin e ri të Parlamentit Europian, Antonio Tajani.

Meta në mesazhin e tij të urimit drejtuar Tajanit shprehet se zgjedhja e tij në krye të PE do të kontribuojë në avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rajonit tonë si dhe shprehu bindjen e plotë për forcimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian.

Kryeparlamentari e ftoi njëkohësisht Presidentin e ri të PE, për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Letër urimi

Drejtuar:

Sh.T.Z. Antonio Tajani

President i Parlamentit Evropian

Bruksel

I nderuar Shkëlqesi,

Me kënaqësi të veçantë mirëpritëm zgjedhjen Tuaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian dhe me këtë rast më lejoni në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për detyrën e re fisnike që ndërmerrni.

Shpreh bindjen e plotë se me eksperiencën e gjerë që gëzoni në institucione të rëndësishme të Bashkimit Evropian, do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit, si një nevojshmëri gjeo-politike evropiane, ndaj dëshiroj të rikonfirmoj vullnetin tonë të plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian.

Kam patur kënaqësinë të takohemi së bashku në të kaluarën dhe shpresoj të rishihemi së shpejti, ndaj përfitoj nga rasti t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të kemi mundësi të diskutojmë nga afër rreth bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të mira për një veprimtari Tuajën plot përgjegjësi dhe suksese, lutem pranoni, i nderuar President, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.

Ilir Meta