Transmetuar më 18-01-2017, 13:38

Tiranë, 18 janar 2017, NOA.al- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit të fondeve të Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA). Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të Komisionit Europian.

Gjatë fjalës së saj Gjosha tha se përpjekjet e përbashkëta për të siguruar zbatimin e efektshëm dhe në kohë të projekteve të IPA-s kanë bërë të mundur që prej dhjetorit të vitit 2016 te kemi 0 projekte problematike nga 7 të tilla që kishim në prill të vitit 2015.

Ministrja solli në vëmendje rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian në vjeshtën e vitit të shkuar, duke theksuar se ky rekomandim, u bë i mundur vetëm në sajë të miratimit konsensual të reformës në drejtësi.

Ministrja tha se në vijim çelja e negociatave me Bashkimin Europian do të varet pikërisht nga rezultatet e prekshme të kësaj reforme, veçanërisht zbatimi i ligjit të “Vettingut”.

“Në këtë kontekst, vëmendja që i është kushtuar mbështetjes për implementimin e reformës në drejtësi është tejet e çmuar. Bashkimi Europian do të japë për Shqipërinë 19.1 milionë euro, prej të cilave 10 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e Vettingut”, tha Gjosha.