Transmetuar më 18-01-2017, 12:39

Tiranë, 18 janar 2017, NOA.al- Ndahet nga jeta peshëngritësi Ymeri Pampuri. Ndarja e tij nga jeta u bë ditën e sotme në moshën 73- vjeçare.

Ai ndërroi jetë për shkak se pësoi atak kardiak në zemër.

Ymer Pampuri është peshëngritës i njohur shqiptar, i cili u shpall kampion Bote në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972.

Kush ishte Ymer Pampuri

Në 29 gusht 1972 në Munih, Ymer Pampuri thyen Rekordin Olimpik në peshëngritje dhe bëhet Kampion i Botës.

Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje, Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë.

Në vitin 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Ishin në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën.

Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë.

Në vitin 1981 heq dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare. Pasi doli në pension në vitin 1994, Ymer Pampuri kërkoi të punonte për të fituar jetesën. Ai nisi punë si rojë porte në Institutin e Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar./a.y/noa.al