Transmetuar më 18-01-2017, 11:40

Tiranë, 18 janar 2017, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani dhe kreu i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha, urojnë Presidentin e ri të Parlamentit Europian, Antonio Tajani.

Në një mesazh dërguar kreut të ri të PE, Nishani shpreh bindjen se nën drejtimin e tij Parlamenti Europian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Europian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Basha informon se sot i përcolli urimet e tij Antonio Tajanit, Presidentit të sapozgjedhur të Parlamentit Europian.

“Z. Tajani është jo vetëm nënkryetar i Partisë Popullore Europiane ku bën pjesë Partia Demokratike, por edhe një mik i jashtezakonshëm. Si zëvendës President i Komisionit Europian dhe komisioner i BE ai ka mbështetur përherë përpjekjet e Shqipërisë për zhvillim ekonomik. Jam i lumtur për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit Europian që do të më japë mundësinë të punojmë së bashku për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në BE”, shprehet Basha.

Mesazhi i plotë i Presidentit Nishani

“I nderuar Zoti President,

Zgjedhja juaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.

Jam i bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Integrimi evropian mbetet objektivi strategjik më madhor për Shqipërinë dhe Ju siguroj se institucionet shqiptare janë të angazhuara për përmbushjen në një kohë sa më të shkurtër e me sukses të prioriteteve kyçe dhe standardeve të nevojshme që do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Mbështetja Juaj dhe e Parlamentit Evropian janë thelbësore në këtë proces.

Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të afërt, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”./a.y/noa.al