Transmetuar më 17-01-2017, 19:49

Zërat për daljen e LSI nga koalicioni po shtohen çdo ditë e më shumë, pasi nga piramida drejtuese e kësaj partie po dalin gati çdo ditë deklarata sfiduese ndaj ftesës së Edi Ramës që të vazhdojë koalicioni edhe në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj tha mbrëmjen e së hënës në një intervistë për “Tonight Ilva Tare” se Lëvizja Socialiste për Integrim po analizon të gjitha opsionet për garimin në zgjedhjet parlamentare të qershorit, qoftë edhe duke dalë e vetme.

Ministri pohoi se me një qëndrim përfundimtar për koalicionin LSI duket se do dalë pas një analize të thellë.

“Kur hyjmë në një koalicion, eksperienca e këtij koalicioni apo ndonjë koalicioni të mëparshëm na ka mësuar që në koalicione nuk hyhet thjesht për të krijuar ekuilibrat, numrat. Është me rëndësi të ndajmë projektet politike, prioritetet, të negociojmë për ato që janë qëllime madhore të koalicionit. Shpesh jemi bashkuar pa i diskutuar këto, hajt se i flasim rrugës”.

Pjesë nga intervista

Tare: Koalicioni si po shkon?

Dervishaj: Në mënyrë shumë optimale drejt përfundimit të mandatit dhe padyshim me përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë për të bërë një vlerësim të punëve që ka bërë gjatë këtyre 3 vite e gjysëm.

Tare: Si ka qenë bashkëpunimi?

Dervishaj: Mendoj që koalicioni ka pasur prioritetet e tij, problematikat e tij.Jo bvrenda një koalicioni, por sikur edhe një parti të qeverisë vetëm do ketë divergjenca të ndryshme, prioritete të ndryshme. Nëse më pyesni mua do them që prioritet është infrastruktura, nëse do pyesni një koleg timin, Panariti, do thoshte bujqësia. Është shumë e rëndësishme sesi koalicioni dhe marrëdhëniet politike prioritarizon prioritetet më të rëndësishme të këtij vendi. Gjatë 3 vite e gjysëm ka pasur shumë suksese, janë përmbushur shumë nga objektivat e vendosura në platformën e këtij koalicioni. Sikurse kudo që punohet ka vend për përmirësim, reflektim, ka vend dhe për korrigjim, për të kërkuar dhe falje për ato gjëra që duhet të ishin bërë më mirë. Edhe ndjesa kur është e ndjerë është e mirëpritur.

Tare: Ndaj qytetarëve apo aleatëve me njëri-tjetrin?

Dervishaj: Qytetarët, i kemi përmbushur pritshmëritë e tyre apo jo? Pasi, a kanë përmbushur partitë pritshmëritë më njëra-tjetrën është një çështje që nuk i intereson shumë qytetarëve. Kjo është për bisedë kafesh për të kaluar kohën, si kalon çifti në koalicion.

Tare: Si ju del bilanci?

Dervishaj: Mendoj se ka gjëra që mund ti kishim bërë shumë më mirë.

Tare: PS apo dhe vetë LSI?

Dervishaj: Besoj që ka vend për reflektim tek të gjitha palët, padyshim që më i madhi ka nevojë të reflektojë më shumë, por edhe i vogli duhet të reflektojë që të bëhet më i madh.

Tare: Ka filluar ky proçes reflektimi brenda në koalicion?

Dervishaj: Të gjitha palët në diskutimet e tyre të brendshme e bëjnë këtë debat dhe përpiqen të kuptojnë atë që kanë bërë si duhet dhe sesi do të ballafaqohen me katër muajt në vijim dhe më pas me fushatën zgjedhore.Por të jemi të sinqertë ka pasur arritje, divergjenca dhe këndvështrime të ndryshme për të arritur të njëjtin objektiv.Gjithësesi t’ia lëmë kohës për të parë deri në fund përmbushjen e objektivave në raport me qytetarët.

Tare: Si duhet të dalë LSI në këto zgjedhje, e vetme apo me PS?

Dervishaj: Unë besoj se LSI ka një përgjegjësi të madhe që e ka ushtruar gjatë gjithë kohës dhe do ta ushtrojë po me kaq përgjegjshmëri në muajt që vinë. Sa kohë jemi ende në përmbushje të këtyre përgjegjësive jemi dhe në kohë e përshtatshme për të reflektuar. A kanë marrë qytetarët mbrapsht të gjithë angazhimin tonë? Duhet të jetë një analizë e thellë për të kuptuar të gjithë elementët që do bënin të mundur të shikonim akoma më përpara.

 Tare: A është e gatshme LSI të marrë këtë përgjegjësi?

Dervishaj: LSI ka garuar e vetme në 2005. Në zgjedhjet e 2009. LSI është parti mbijetuese dhe mbijeton duke u rritur. Ka aftësi të mësojë nga historia e saj dhe e tjerëve dhe të reflektojë. LSI nuk i trembet asnjë sfide.

Tare: As të dalë e vetme në qershor?

Dervishaj: Absolutisht jo. Nuk i trembet. Por a është ky vendimi që do marrë LSI? Jemi në koalicion praktikisht, kemi ende kohë për të ushtruar përgjegjësitë tona në përfundim të mandatit. Kemi kohë të mjaftueshme për të parë si do ecim tutje.Kur hyjmë në një koalicion, eksperienca e këtij koalicioni apo ndonjë koalicioni të mëparshëm na ka mësuar që në koalicione nuk hyhet thjesht për të krijuar ekuilibrat, numrat. Është me rëndësi të ndajmë projektet politike, prioritetet, të negociojmë për ato që janë qëllime madhore të koalicionit. Shpesh jemi bashkuar pa i diskutuar këto, hajt se i flasim rrugës.

Tare: Me 1 prill jemi bashkuar për një marrëveshje 8 vjeçare.

Dervishaj: Patjetër që po. Marrëveshja 8 vjeçare ka objektivat e  saj. Të shikojmë si janë vendosur objektivat e 50% që të vendosim objektivat e katër viteve të ardhshëm.

Tare: Koalicionin me PD e përjashtoni?

Dervishaj: PD e ka përjashtuar koalicionin me LSI-në.

Tare: Koalicioni me PDIU-në si po shkon? Ka rivalitet…?

Dervishaj: Përmasat e partive nuk e lejojnë rivalitetin. Tjetër qasje elektorale dhe politike ka LSI-ja, tjetër PDIU-ja, e cila është e bashkuar rreth një kauze historike. LSI-ja ka tjetër diapazon. Numrat janë ato që vendosin një parti është e madhe apo e vogël. Qëllimi primat dhe boshti që është konsoliduar rritja e LSI-së është integrimi evropian dhe i brendshëm i shqiptarëve.

Tare: E sheh me frikë LSI marrëdhënien PS-PDIU?

Dervishaj: Absolutisht! Kur nuk kemi pasur frikë marrëdhënie PD-PS në vitin 2008, pa dyshim LSI nuk frikësohet. Zt. Meta i ka shprehur qartë qëndrimet e tij dhe mendimin e tij personal dhe institucional ku ka bërë të qartë që edhe individi më i rëndësishëm është i pamjaftuar për të marrë një vendim. Pa dyshim që kryetari ka rolin kryesor, por janë strukturat ato që marrin vendimet.

Tare: Kolegu juaj Manjani ka thënë se në pushtet nuk kemi ardhur me PDIU-në..

Dervishaj: Këtë ua ka sqaruar Manjani. Gjithsekush ka të drejtë të shprehi dhe të debatojë. Janë forumet ato që vendosin në fund.

Tare: Do të jetë zgjedhja e Presidentit pjesa e paketës së detyrimeve të koalicionit..

Dervishaj: Presidenti është ende në detyrë. Në gjykimin tim ka qenë një President i respektuar. Është procesi ai që do të thotë kush do të jetë President i ri i vendit. Qarkullimet në media janë më shumë spekulime se sa diskutime reale. LSI ka kapacitete të spikatura për President të Republikës. Për sa kohë ne kemi një marrëveshje 8 vjeçare që ju thatë, besoj që edhe kjo çështje do të diskutohet në raportet e duhura institucionale.

Tare: Ka filluar fushata..

Dervishaj: Jemi pothuajse në fushatë. Janë ato provat e ditës së shtunës dhe gara në ditën e diel po t’i referohemi Formula 1.

Tare: Jeni deleguar në Vlorë. Do ju ndihmojë Kokëdhima?

Dervishaj: LSI në qarkun e Vlorës ka potencial të madh për të zhvilluar projektin e saj politik dhe për t’i ofruar Qarkut të Vlorës. Është qarku që ka dy porte, një gadishull, një ishull, ka det, ka male. Është i zhvilluar shumë larg mundësive të tij. Duke diskutuar me kolegët e partisë në Vlorë dhe intelektualë do të kemi mundësi t’u ofrojmë qytetarëve të Vlorës, të gjithëve. U kemi shumë borxhe qytetarëve të Vlorës. Kemi bërë shumë pak.

Tare: Garë e vështirë në Vlorë se është edhe kryeministri.

Dervishaj: Kjo e bën edhe më të bukur garën.

Tare: Deklaratat e opozitës për bojkot.

Dervishaj: Një proces zgjedhor i lirë e ndershëm është domosdoshmëri për të ardhmen e këtij vendi dhe perspektivës së gjeneratës së re. Bojkoti është rrugë qore që nuk të çon gjëkundi. Gjithsesi, e drejta e PD-së për të kërkuar dhe kontribuar për zgjedhje të lira është padyshim jo e mirëpritur por esenciale. Një opozitë e përjashtuar nga proceset nuk i shërben vendit. Kërkohet më shumë maturi. Të ecim përpara drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Kemi arritje të mëdha, Shqipëria është anëtar i NATO-s, kandidat për në BE. Do të ishte e pafalshme për njollën që do t’i linim vendit në qoftë se nuk do të bënim zgjedhje me standarde. Zgjedhjet ende kanë probleme dhe kanë nevojë të përmirësohen.