Transmetuar më 17-01-2017, 16:53

Pak ditë pasi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e quajti të papranueshëm faktin që çamët e Idrizit kishin hyrë në koalicionin PS-LSi, reagon kreu i PDIU, duke vlerësuar se “ne nuk hymë më një shtëpi ku burri është dakord dhe gruaja nuk do”.

Shpëtim Idrizi foli të hënën në mbrëmje në emisionin e Sokol Ballës në Top Channel, i njëjti ku të enjten e kaluar ishte intervistuar Manjani.

“Njeriu me portofol i LSI-së, nëse ka pakënaqësi me përbërjen e koalicionit, duhet të ankohet për Ilir Metën, i cili është një nga autorët e ftesës për përfshirjen e PDIU-së në koalicion”, – tha z.Idrizi.

Ai shtoi se në këtë koalicion ka hyrë, pasi ka marrë një ftesë të nënshkruar nga Rama dhe Meta.“Ne nuk hymë në një shtëpi, në të cilën është dakord burri dhe nuk është dakord gruaja”, – shtoi Idrizi.

Kreu i PDIU-së foli edhe për koalicionet parazgjedhore dhe debatin për reformën zgjedhore.

“Ne jemi pjesë e koalicionit me parti kryesore PS-LSI, ndërkohë presim ftesë nga më të mëdhenjtë, ndërsa vendimin e marrin forumet e partisë se në cilin koalicion do të jemi në zgjedhje. Por, dua të sqaroj se ne nuk do të bënim koalicion me parti të tjera, nëse nuk do të na detyronte fakti i vjedhjes së votave nga më të mëdhenjtë. Modeli stalinist populli voton dhe numërojnë dy partitë e mëdha, na detyron ne që të bëhemi pjesë e koalicioneve”.

Më herët, të enjten, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, kritikoi mënyrën si është katandisur politika shqiptare dhe si funksionojnë koalicionet aktualisht.

Manjani tha se e shihte paradoksale që e majta fitoi zgjedhjet përmes koalicionit PS-LSI dhe megjithatë shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë koalicion, duke u përfshirë forca politike që jo më larg se 2013 ishin kundërshtare të së majtës.

“Ne i kemi fituar zgjedhjet me Ben Blushin, nuk i kemi fituar me Shpëtim Idrizin”, – tha z.Manjani.

Të tilla gjëra rrallë ndodhin në shoqëri të konsoliduara, tha z.Manjani duke pohuar se në këtë pikë nuk ka një moral politik.

Manjani pohoi se ky lloj konsensusi patriotik është i papranueshëm dhe shtoi se ia ka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve që e kishin bekuar një konsensus të tillë.

Ministri i Drejtësisë theksoi se jo vetëm është e papranueshme një gjë e tillë, por ajo edhe shkatërron të ardhmen e vendit. /noa.al/

�tu.