Transmetuar më 17-01-2017, 16:21

Shumë njerëz pohojnë se nuk mund të hanë spec të kuq djegës, sepse “ndiejnë djegie në stomak”. Aspak e vërtetë. Madje në shumë kultura është e përhapur tradita popullore e çajit për tretjen e ushqimit i bërë me kamomil të ngrohtë, një lugë spec djegës pluhur dhe një lugë mjaltë si ëmbëltues.

Madje nëse ju pëlqejnë ushqimet pikante, atëherë keni gjasa të jetoni më gjatë! Sipas një studimi të bërë në Universitetin e Vermontit, ku 16.000 njerëz janë testuar për 23 vjet, ata që konsumonin më shumë spec djegës të kuq, kishin 13 % më pak mundësi të vdisnin se ata që nuk e konsumonin.

Disa nga sëmundjet më të përhapura që speci i kuq mund t’i trajtonte apo parandalonte ishin të lidhura me problemet e zemrës dhe goditjet cerebrale.

Gjithashtu speci i kuq djegës është i pasur në sasi shumë të mëdha të kapsaicinës, përbërësi kryesor i aktivitetit farmakologjik, flavonoidës, vajrave esencialë, karotenoidës, celulozës, kalçiumit dhe hekurit.

 Përmbajtja e lartë e Vitaminës C (deri në 340mg/100gr) është më i madh se të gjitha frutat apo perimet e tjera, ndërsa gjenden edhe sasi të konsiderueshme të vitaminave A, B dhe K.