Transmetuar më 17-01-2017, 15:03

Vranësira dhe reshjet e shiut dhe dëborës do të mbeten prezent në vendin tonë edhe gjatë të mërkurës ku më të theksuara do të jenë në zonat jugore dhe juglindore të vendit. Herë pas here do të ketë edhe intervale me kthjellime.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe reshje të dendura dëbore në zonat juglindore duke lënë me vranësira dhe reshje më të dobëta shiu e dëbore zonat veriore dhe qendrore të vendit. Gjatë natës do të ketë ndërprerje të reshjeve.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale të ditës, më e ndjeshme kjo në orët e mëngjesit. Era do të fryjë mesatare gjatë ditës por e fortë gjatë natës duke arritur shpejtësinë 50 km/h nga drejtimi verilindor, kjo do të bëjë që në det të gjenerohet dallgëzim deri në 5 ballë.

Europa

Pothuajse i gjithë kontinenti i Europës do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti i kthjellët por i ftohtë të jetë dominues. Temperatura më të ulëta priten për vendet e Europës perëndimore.

Ndërsa, me vranësira dhe shira intensive do të paraqitet moti për brigjet e detit Egje si pasojë e prezencës së një qendre me presion të ulët atmosferik përkatësisht në juglindje të kontinentit. Po ashtu, reshje të pakta dëbore do të vërehen edhe në veri të Ballkanit./b.l/noa.al/