Transmetuar më 17-01-2017, 12:11

Athinë, 17 janar 2017, NOA.al- Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mblodhi në një takim në Athinë anëtarët e degës së PR në kryeqytetin grek.

Mediu bëri një pasqyrë të gjendjes, ku siç tha ai është zhytur sot Shqipëria, si pasojë e keqqeverisjes Rama-Meta.

Në fjalën e tij kreu i PR, u shpreh se qeveria tashmë ka degraduar në çdo aspekt të saj, duke e çuar vendin drejt korrupsionit, krimit dhe kanabisit, ndërkohë që qytetarët sa vijnë e varfërohen çdo ditë e më shumë.

“Çdo njeri ka të drejtë të ndërtojë dhe të punojë për lumturinë e tij, por ne nuk mund t’i lemë peng ato në dorë të Ramës dhe Metës, të cilët tashmë kanë futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë, duke favorizuar bandat dhe kriminelët, me qëllimin e vetëm për të kapur shtetin, drejtësinë, zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Mediu.

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, ai u shpreh se Partia Republikane ka kërkuar prej kohësh një reformë zgjedhore, për të garantuar proces të drejtë dhe transparent, për të kthyer pushtetin ne duart e qytetarëve me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Kemi kërkuar votim elektronik në radhë të parë që të mund të votoni edhe ju (emigrantët) në mënyrë të rregullt. Kemi kërkuar votim elektronik, në mënyrë që qytetarëve të mos u merren më kartat e identitetit, të mos u bllokohet rruga përfaqësuesve të BE dhe SHBA, siç ndodhi për zgjedhjet lokale, të mos trafikohet vota. Gjithashtu kemi kërkuar edhe votim me lista të hapura, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që mund të zgjedhin se për kë duan të votojnë dhe të mos jenë kryetarët e partive që të përcaktojnë se kush do përfaqësojë qytetarët”, u shpreh Mediu.

Ai shtoi se është kërkuar edhe transparencë në financimin e fushatave, pasi në Shqipëri siç tha ai, po bëhen fushata më luksoze se në Amerikë.