Transmetuar më 16-01-2017, 19:48

Kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi një takim me grupin parlamentar. Në fjalën e mbajtur Basha tha se nuk do të tërhiqen nga beteja për zgjedhje të lira. Basha theksoi se PD është një parti e hapur dhe jo një parti e krimit dhe e korrupsionit.

“Zgjedhjet e ardhshme janë zgjedhjet që pret dhe dëshiron çdo shqiptar. Sot nënshkruam një memorandum që trajton çështjen më të rëndësishme për shqiptarët, lirinë e votës. Moskriminalizimi i zgjedhjeve, aksesi mediatik i barabartë, spikat propozimi ynë për votimin elektronik”, tha Basha.

Lulzim Basha tha se procesi i Vetting-ut siguron një listë dinjitoze përfaqësuese. “Të eliminojmë çdo njollë kriminaliteti dhe korrupsioni nga lista e ardhshme e PD-së”, tha ai.

Basha, foli edhe për memorandumin që kanë nënshkruar kjo forcë politike si dhe 22 parti të tjera opozitare. Memorandumi ka 5 kushte, realizimi i së cilave do të garantonte sipas tij një proces sipas standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet e 18 qershorit.

Kushti i parë për opozitën mbetet “realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm”.

Kushti i dytë lidhet me “zbatimin me intensitet dhe shpejtësi të procesit të dekriminalizimit lidhur me kandidaturat” që do paraqiten në zgjedhjet e ardhshme, por dhe “dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve”.

Opozita kërkon gjithashtu “të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë”.

Një tjetër kusht ka të bëjë me ndalimin e “përdorimit të burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike”.

Ndërsa kushti i fundit është “garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë”.

Në tekstin e memorandumit, partitë e opozitës theksojnë se “përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian”.

Ndërkohë në seancën e mbajtur këtë të hënë në Kuvend, opozita parlamentare ka përcaktuar si çështje të saj parësore në seancën e parë për 2017, çështjen e zgjedhjeve. Partia Demokratike parashtroi me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka pesë kushtet e saj për zgjedhjet e ardhshme./b.l/noa.al/